Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend.

Ahmeti gjatë këtij takimi me Hotin, ka thënë se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyer ndër-fqinjësore dhe se kështu do të mbeten gjithmonë.

Ahmeti dhe Hoti kanë bashkëbiseduar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në funksion të paqes, ekonomisë, stabilitetit dhe mirëqenies në rajon.

“Lideri i BDI-së Ahmeti ka uruar Hoti për marrëveshjen e Uashingtonit e cila hap rrugën e njohjes reciproke si dhe integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian pasi që kjo është rruga e vetme që garanton një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës Hoti diskutuan edhe mbi arritjet e Maqedonisë së Veriut duke përmendur këtu marrëveshjen me Athinën dhe Sofjen si dhe orientimin e vendit drejt Bashkimit Evropian”.

“Ahmeti ka porositur Hotin që kompromiset e arritura të Maqedonisë së Veriut me Greqinë dhe Bullgarinë të jenë një pikë referimi për dialogun Kosovë-Serbi pasi që vetëm përmes marrëveshjeve shtetet tona mund të ecin përpara. Në fund të takimit lideri i BDI-së Ahmeti theksoi se Maqedonia e Veriut do të përkrahë Republikën e Kosovës në zbatimin e reformave të nevojshme dhe të rëndësishme me qëllim mbisundimin e së drejtës dhe funksionimin e mirëfilltë të institucioneve të Kosovës e me këtë rast integrimin euro-atlantik”, thuhet në njoftimin e BDI-së.