Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti përsëri ndryshon qëndrimet e tij të cilat për vite i kishte mbrojtur me këmbëngulje. Kësaj radhe Ahmeti vendosi që të largojë ministrat e tij nga Qeveria e Maqedonisë dhe duke lënë të hapur mundësinë edhe për prishje të koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Shkak për këtë vendim ishte publikimi i dy bisedave telefonike në internet që prekte zyrtarët e partisë së tij. Por vite më parë, Ahmeti pati refuzuar të merr një vendim të këtillë edhe për probleme shumë më të mëdha që tangonin vendin dhe shqiptarët në veçanti.

“Të mendojmë edhe tjetrën. Krijohet krizë, BDI braktisë qeverinë dhe institucionet. Ku do të shkoj BDI, në pikat pagesore të protestojë, do shkojë para parlamentit, do dalim në bulevard, të bëjmë fjalime retorike? Po që se BDI braktis qeverinë, atëherë bllokohen institucionet. Ne mbajmë llogari dhe përgjegjësi për shqiptarët, por edhe për maqedonasit, sepse ne nuk jemi parti e ndonjë shteti tjetër”, pati thënë Ali Ahmeti,më 17 maj të vitit 2013.

Në disa raste, pyetjet e llojit a do ta lëshoni Qeverinë, a do t’i tërhiqni ministrat dhe a do ta braktisni Gruevskin, shkaktonin edhe nervozizëm tek Ahmeti. Në këto pyetje ai shpesh përgjigjej edhe me batuta si kjo që gjatë kohë qarkullonte në opinion:

“BDI nuk është një organizatë cirku për të dalë e për të bërë akrobacione dhe për të kënaq emocionet e dikujt, BDI nuk është fole, hyn e dil Isuf Qamil”, pati deklaruar Ali Ahmeti më 19 prill të këtij viti.

Për dallim nga rasti i fundit kur për publikimin e dy përgjime Ahmeti tërhoqi ministrat dhe kërcënoi me padi, gjatë publikimit të bombave të Zaevit i cili tha se shërbimet e Maqedonisë kanë përgjuar edhe vetë Ahmetin, ky i fundit tha se nuk padit askend, ndërsa daljen nga Qeveria e quajti vendim të gabueshëm, eufori dhe tha se kështu vetëm do të thellohej kriza.

“BDI ka përgjegjësi përpara shqiptarëve, elektoratit të vetë në Maqedoni, ka përgjegjësi për zgjidhje të problemeve dhe jo për të krijuar problem të reja dhe ne e kemi parë të dobishme të qenurit tonë në institucione. BDI punon vepron jashtë emocioneve, jashtë zhgënjimeve, vepron dhe punon me kokë të ftohtë, analizon studion çdo veprim dhe asnjë veprim nuk do bëhet që do i dëmtojë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, shqiptarë, maqedonas dhe komunitete tjera që jetojnë në këtë vend. Nuk do udhëhiqemi nga emocionet por nga arsyeja e nacionaliteti”, pati thënë Ahmeti në lidhje me publikimet.

Kjo nuk është hera e parë që Ahmeti ndryshon qëndrimin e tij. Ai gjatë mandateve të kaluara gjithmonë fillimisht ka qenë kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por më vonë i mbështeste si zgjidhje të krizave politike. Ahmeti mbronte edhe 24 prillin si datë e zgjedhjeve, por më pas pranoi që zgjedhjet të shtyhen. Së fundmi partia e Ahmetit ndryshoi mendjen dhe nuk mbështeti edhe ndryshimet e Ligjit për Procedurë Penale, për të cilat si propozues ishte nënshkruar një deputet po i kësaj partie./Shenja