Personalisht unë ende nuk i kam parë përgjigjet, sot do t’i shqyrtojmë, sepse dje arritën në ministri, thotë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Janis Amanatidis, duke folur sot në mëngjes në emision për televizionin grek “Skaj”, në lidhje me propozimet e dorëzuara nga pala e Maqedonisë.
Pikërisht për shkak të asaj që nuk i di qëndrimet e Maqedonisë, nuk komentoi nëse do të ketë përputhje në pozicionet, por shprehu bindjen se ekziston vullnet politik nga të dyja palët.

Siç raportoi korrespodenti i MIA-s nga Athina, Amanatidis tha se negociatat vazhdojnë, vizita e shefit të diplomacisë greke në Shkup është shumë e rëndësishme, sepse do të fillojë nga aeroporti i cili tanimë është riemëruar.

Zëvendësi i Kocias, edhe njëherë i përsëriti qëndrimet e Greqisë në bisedimet, duke i karakterizuar si “të dobishme për shtetin”.

“Domethënë, emër të përbërë për brenda dhe jashtë vendit, gjegjësisht erga omnes. Për brenda, padyshim do të nevojitet ndryshim i Kushtetutës dhe bisedojmë për çështje të cilat janë të lidhura me irredentizmin, të cilat mund të jenë ose në libra, madje edhe në Kushtetutë, nëse ekzistojnë dyshime për irredentizëm. Kjo është një pako”, tha Amanatidis për “Skaj”.

Zëvendësministri tha se propozimi i cili do të vijë për votim në Kuvendin e Greqisë, do të jetë i dobishëm në nivel kombëtar dhe do të mbështet si nga shumica e qytetarëve, ashtu edhe nga shumica e deputetëve.