Pas shifrave alarmante të ndotjes së ajrit në Shkup, dy ambasadat, ajo e SHBA-së dhe Rusisë që gjenden në Shkup kanë shprehur shqetësimet e veta, për këtë çështje duke kërkuar edhe zgjidhjen e këtij problemi. Kurse i pari i Shkupit, Shilegov thotë se autoritetet po punojnë për uljen e ndotjes dhe do të ndërmerren disa hapa.

“Ndotja e ajrit në Shkup ka qenë aq e dendur sot, saqë ishte e pamundur të shihet ambasada! Cilat janë idetë tuaja për ajër të pastër në Maqedoni?”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Nga ana tjetër, ambasada Ruse i është përgjigjur asaj amerikane për masat që duhet të ndërmerren.

“Për shkak se miqtë tanë nga ambasada e SHBA-ve kërkojnë ide për ajrin e ndotur në Maqedoni, ne duam të ndihmojmë në zgjidhje “rrjedha turke”, thohet në reagimin rus.

Nga ana tjetër kryebashkliaku i Shkupit, Petre Shilegov thotë se po punohet për uljen e ndotjes së ajrit, dhe se po bisedohet për uljen e çmimit të biletave të transportit publik në qytet.

“Bisedova me ministrinë për punë të brendshme, që në përputhje me planin aksionar të Qeverisë do të sjellim disa modalitete për të reduktuar ndotjen e ajrit. Qyteti i Shkupit do të marrë vendim për uljen e çmimit të transportit publik dhe ngritjen e çmimit të parkingjeve, që në këtë mënyrë të kemi lëvizje më të pakta të veturave nëpër qytet”, tha Shilegov.

Enti Hidrometeorologjik deklaruan se pritet që era të ndikojë në reduktimin, pastrimin e ajrit, nga atje thonë se ditën e nesërme pritet që të ketë reshje shiu./almakos