“24 prilli mund të mos jetë dita më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare”, kështu shprehen analistët politik duke shtruar dilemën se cilës parti mund t’i levërdiste një shtyrje eventuale e zgjedhjeve? Profesori universitar Sefer Tahiri shprehet për Alsat se nuk është e udhës që të shpejtohet në mbajtjen e zgjedhjeve pa krijimin e kushteve për zgjedhje korrekte të lira dhe demokratike. Ndërkohë që fusha e mediave dhe pastrimi i listës zgjedhore ngelin dy probleme të hapura që duhen zgjidhur.

“Konsideroj se në aspektin politik e pragmatik, shtyrja e zgjedhjeve mund t’u konvenojë partive opozitare, sidomos pra, atyre që janë në koalicion tashmë të formuara siç është Aleanca për shqiptarët dhe bllokut tjetër sipas të gjitha gjasave Besës dhe Unitetit. E vetmja që nuk do të dëshirojë shtyrjen e zgjedhjeve do të jetë partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, sepse çdo shtyrje çon drejt forcimit apo rritjes së elektoratit të opozitës shqiptare, prandaj kam dyshimet e mia se partitë shqiptare që marrin pjesë në procesin politik, do të jenë krah VMRO-DMNE-së dhe do të insistojnë që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, pavarësisht siç thash nuk janë siguruar kushtet themelore”, deklaroi Sefer Tahiri, Analist politik.

Ndërkohë Petar Arsovski vlerëson se prolongimi i datës së zgjedhjeve për në qershor apo shtator nuk është i mjaftueshëm dhe se nuk do të ndryshonte asgjë. Sipas tij duhen së paku dy vite për të marrë veten klasa politike. Ai mendon se nuk ka fitues apo humbës konkret nga lëvizja e datës së zgjedhjeve.

“Nuk ka humbës dhe fitues konkret nga lëvizja e datës së zgjedhjeve, por është fakt se nëse nuk lejohet një kontroll demokratik i procesit, VMRO-DPMNE do të ketë pak avantazh, për shkak se problemet esenciale të cilat janë të nevojshme të zgjidhen dhe të cilat nuk mund të zgjidhen me zgjedhje intervenuese, nuk do të mund të zgjidhen as me Marrëveshjen e Përzhinës. As koha deri në prill nuk është e mjaftueshme për t’u zgjidhur këto probleme. Kështu që VMRO ka dobi nëse nuk shtyhet data e zgjedhjeve, ndërkaq nëse do të anulohen, nuk dihet nëse do të ketë dobi opozita apo do të kuptonte ndonjë afat për rikombinim”, tha Petar Arsovski, analist politik.

Partitë maqedonase kanë qenë të ndara për sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, nga VMRO-DPMNE kanë thënë se data e paraparë për zgjedhje është e pashmangshme, ndërsa nga LSDM thonë se kjo varet nga marrëveshja që do të kenë me komisionerin Johanes Han. Zaev me këtë rast ka aluduar për shtatorin si muaj të zgjedhjeve. BDI gjithashtu insiston në respektimin e datës së zgjedhjeve sipas Marrëveshjes së Përzhinës.(alsat-m)

lasat