“VMRO-DPMNE-ja e mbështetur nga BDI-ja janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë së mediave, e jo Sorosi”, thotë analisti Sefer Tahiri. Duke e komentuar deklaratën e VMRO- së në të cilën thuhet se LSDM-ja dhe Soros e kanë shkatërruar gazetarinë e lirë, Tahiri thotë se pikërisht qeverisja e koalicionit të deritanishëm i ka korruptuar mediat me para të shtetit, transmeton Alsat-M.

Nga Fondacioni Shoqëri e Hapur, thonë se VMRO-DPMNE-ja ndodhet në situatë pa rrugëdalje prandaj në mënyrë të pabazë sulmohet Sorosi.

Me shumë shpifje dhe gënjeshtra përpiqet të hidhet pluhur mbi Organizatat Joqeveritare, shoqërinë civile dhe Fondacionin Shoqëri e Hapur- Maqedoni. Në këto 10 vite derisa VMRO-DPMNE është në pushtet, Fondacioni Shoqëri e Hapur i mbështet institucionet shtetërore në shëndetësi dhe arsim me miliona euro, njëjtë sikur që e mbështet edhe shoqërinë civile – tha Fani Karanfilovska, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

VMRO-DPMNE-ja në deklaratën e fundit paralajmëroi se ka filluar procesi i desorosoizimit të Maqedonisë.

Javë më parë një pjesë e organizatave joqeveritare ishin cak i inspektimeve të ndryshme. VMRO-DPMNE-ja dhe zyrtarët e kësaj partie pretendojnë se shumë media dhe shumë organizatat të financuara nga Sorosi punojnë në dëm të shtetit.