Eurodeputetët e zgjodhën demokristianin pas disa orësh maratone votimi në Strasburg, në raundin e katërt, me 351 vota pro nga 633 votat e vlefshme. Socialisti Gianni Pittella fitoi vetëm 283 vota. Presidenti në largim Martin Schulz (SPD) i uroi pasardhësit të tij “gjithë të mirat, dhe sukses.” Schulz, i cili është nga viti 2012 Presidenti i Parlamentit Evropian, kishte njoftuar në muajin dhjetor se nuk do të kandidonte përsëri.

Urime nga Gjermania

Ndër të parët që e uruan Tajanin ishte ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier (SPD). Parlamenti Evropian është një “lojtar vendimtar në Evropë, kur bëhet fjalë për të bërë punë bindëse për vlerën e projektit tonë evropian dhe për t’iu kundërvënë populistëve dhe ekstremistëve”, tha Steinmeier. Tajani ka të gjitha parakushtet për të udhëhequr Parlamentin në kohë të vështira. Njëkohësisht Steinmeieri vlerësoi punën e Martini Schulz-it.

Hare e gëzim në Itali

Zgjedhja e Antonio Tajanit u prit me gëzim të madh në Itali. Tajani është bashkëthemelues i partisë konservatore italiane “Forza Italia” dhe ka qenë zëdhënës i ish-kryeministrit Silvio Berluskoni.

Berluskoni tha se zgjedhja e tij e mbush atë si italian dhe kryetar i partisë Forza Italia me “krenari dhe gëzim”. Kryeministri Paolo Gentiloni shkroi në Twiter: “Për herë të parë një italianë si President i Parlamentit Evropian. Urime për Antonio Tajanin.” Kurse ministri i Jashtëm Angelino Alfano shkroi në Twitter “Nlë lajm i madh për Italinë dhe popullin evropian”.

23 vjet përvojë në Parlamentin Evropian

Avokati dhe gazetari Tajani u zgjodh në vitin 1994 për herë të parë në Parlamentin Evropian. Nga viti 2008 deri 2014 ai ishte anëtar i Komisionit të BE-së përgjegjës fillimisht për transportin dhe më tej për industrinë.

Që nga zgjedhjet evropiane të vitit 2014 Tajani ishte nënkryetar i Parlamentit. Në këtë funksion ai ishte edhe përgjegjës për komunikimin e rregullt të institucioneve të BE-së me bashkësitë fetare dhe kishat. “Ne duhet të forcojmë dialogun mes feve në nivel evropian”, tha Tajani pas zgjedhjes për agjencinë katolike të lajmeve (KNA). “Fetë nuk janë rrënja e konfliktit, por mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje për paqen,” – tha më tej ai.