Bashkëpunimi i Aleancës për shqiptarët me Lëvizjen Besa përbën rrezikun më të madh për BDI-në dhe humbjen e pushtetit nga kjo parti që nga viti 2002 e deri më sot. Arsyeja e një fushate për të hedhur baltë mbi këtë bashkëpunim me lloj lloj tezash, në të shumtën e rasteve qesharake, që thuren nga argatët e BDI-së është frika nga humbja e pushtetit dhe rrjedhimisht humbja e privilegjeve të funksionarëve dhe militantëve të saj. Në parim këto parti gjithmonë kanë qenë pro bashkëpunimit mes vete, por fakti se secila nga ato gjithmonë ka synuar pjesën më të madhe për vete, duke pretenduar se ka mbështetje më të madhe, ka pamundësuar arritjen e koalicionimeve në të kaluarën. Raundi i parë zgjedhor e qartësoi forcën reale politike aktuale të secilës prej tyre nëpër komunat përkatëse, duke e ka definuar raportin e forcave mes dy partive. Shpresoj që formula 50:50 të jetë bazë e një dalje të përbashkët edhe në zgjedhjet parlamentare gjë që do të thoshte fund i sigurtë i pushtetit të korruptuar dhe të diskredituar të BDI-së.
Për t’i dhënë një episod me nder fundit të historisë së PDSH-së në skenën politike është momenti që kandidatët e PDSH-së në këto zgjedhje, duke ruajtur dinjitetin personal dhe duke ngritur autoritetin e tyre, të shprehin mbështetje për kandidatët jo-BDI në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe të marrin pjesë përkrah tyre në fushatën e ditëve të mbetura.
Pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale pritet dorëheqja e Nikolla Gruevskit nga posti i kryetarit të VMRO-së. Partitë maqedone e kanë dëshmuar se e bëjnë rregullisht rotacionin në kreun e tyre dhe nuk lejojnë degjenerimin dhe shkapërderdhjen e partive të tyre siç ndodh me partitë despotike shqiptare të kthyera në prona private deri në falimentim. Uroj që një ditë atë dhe bashkëpunëtorët e tij t’i shohim prapa hekurave, përgjegjës për të zezat që i sollën popullit.