Pas revoltës së madhe të shkaktuar nga vendimi i Qeverisë – një objekt i gjimnazit të Tetovës të merret nga nxënësit dhe t’i jepet për shfrytëzim Kadastrës, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, përmes rrjeteve sociale njoftoi se e tërheq vendimin e sjellë, kurse gjimnazistët e Tetovës mund të vazhdojnë ta shfrytëzojnë shkollën. Paralajmëron se të martën do të merret vendim që hapësirat që i ishin dhënë Kadastrës, sërish të kthehen në shërbim të nxënësve të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.

Sipas Grubit, këtë vit Agjencia e Kadastrës e ka përsëritur kërkesën me arsyetimin se ka hapësira të pashfrytëzuara, prandaj njësoj si në vitin 2021, Qeveria ka miratuar vendimin që ato objekte të kalojnë në shfrytëzim të Agjencisë. Vendimin e këtillë të Qeverisë e përshëndet edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.