Deputeti i BDI-së Artan Grubi, ka marrë një shembull se si presidenti i ri Trump ka sfiduar mediat që kanë bërë shpifje për të edhe gjatë fushatës edhe pasi u zgjodh president.

Sipas Grubit ka disa media që punojnë me tepër për partitë maqedonase se sa për shqiptarët. Ai këto qëndrime i ka shkruar në profilin e tij në Facebook duke theksuar se mediat duhet të përqendrohen në rëndësinë e arritjes së barabarësisë, zbatimit të deklaratës së përbashkët, rrumbullakësimit të Marrëveshjes së Ohrit, e jo në tifozllëkun për njërën a po tjetrën palë, e aq më pak në përpjekje për t’ia shpërla trurin publikut.

“Presidenti i ri Amerikan Trump ka sfiduar haptazi establishmentin mediatik në SHBA duke i denoncuar ato në vazhdimësi gjatë fushatës, por edhe pas inaugurimit.

Shumë më intereson se si do të reagonte po të ndiqte fushatat trushpërlarëse dhe përpjekjet e hapura mediatike për të imponuar vendimmarrje në Maqedoni duke ju treguar partive politike se çfarë duhet të bëjnë, duke u vënë në shërbim të njërës apo tjetrës palë, por asnjëherë shqiptarëve.

Të përqendrohemi në rëndësinë e arritjes së barabarësisë, zbatimit të deklaratës së përbashkët, rrumbullakësimit të Marrëveshjes së Ohrit, e jo në tifozllëkun për njërën a po tjetrën palë, e aq më pak në përpjekje për t’ia shpërla trurin publikut”- ka shkruar Grubi në Facebook.

Ndryshe kanë mbetur edhe pak ditë për ti kaluar mandati  Nikolla Gruevskit si mandatar i parë për formimin e qeverisë së re në Maqedoni, ku shumë njohës thonë se parimi mes fituesit nga pala maqedonase dhe fituesi nga pala shqiptare duhet të vlejë për të respektuar vullnetin e shumicës në vend.