Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Zhan Aselborn tha se referendumi i 30 shtatorit është zgjidhje për vendin, nëse do të shkojë në të ardhmen ose do të mbetet në të kaluarën. Pas takimit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov ai theksoi se nëse qytetarët duan të ardhme, pjesëmarrja në referendum do të duhet të jetë e lartë dhe përgjigja e qartë. “Ju presim në NATO” përfundoi Aselborn.

“Marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por me identitetin e shtetit dhe popullit. Rezultati tani është në tavolinë. Nëse do të isha në Maqedoni, unë do t’i thoja “Po” marrëveshjes”, shtoi Aselborn.

Ndërsa Dimitrov siguroi se më 30 shtator qytetarët do të vendosin për të ardhme euro-atlantike.

Dimitrov dhe Aselborn nënshkruan Marrëveshje për informata të klasifikuara si dhe u morën vesh për mbledhje të përbashkëta ndër-qeveritare në vitin 2019.