LSDM do të qëndrojë neutrale në raundin e dytë zgjedhor në Strugë, ku do të garojnë kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e Aleancës, Ziadin Sela dhe kandidati i BDI-së, Ramiz Merko, kanë thënë burime të larta në LSDM, për Fokus.

Për dallim prej shumë komunave me shumicë shqiptare, ku LSDM nuk nxori kandidatë por përkrahu kandidatët e BDI-së që në rrethin e parë, LSDM në Strugë doli me kandidatin e vetë, Vasil Ashtalkovski, i cili fitoi 7.140 vota.

Dallimi në raundin e parë është në favor të Selës, i cili mori 9.289 vota, kurse Ramiz Merko i BDI-së, 7.916 vota.

Lajmi se LSDM do të qëndrojë neutrale në këtë komunë është një lajm i mirë për koalicionin e sapopromovuar mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, sepse me këtë fitorja e Ziadin Selës është e sigurt në raundin dytë.

Ndërkohë nuk ka asnjë lajm për Gostivarin ku garojnë Arben Taravari dhe Nevzat Bejta. Heshtja për këtë qytet lenë hapsirë të kuptohet se LSDM-ja do të vazhdojë edhe raundin e dytë ti jap përkrahje Bejtës sikur raundin e parë.

Ndërkohë në Gostivar BDI dhe LSDM bashkërisht kishin 12.060 vota, ndërsa Aleanca e Arben Taravarit e vetmuar kishte 11.600 vota, ndërsa bashkë me Lëvizjen Besa do të kenë 15.300 vota dhe fitore të sigurtë.