Katër gola nga gjuajtjet e lira, Leo Messi është i pakapshëm.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi, po vazhdon të impresionojë me paraqitjet për Barcelonën këtë sezon, raporton Gazeta Express.

Argjentinasi edhe njëherë gjeti rrugën drejt portës në La Liga, por nuk arriti ta ndihmojë Barcelonën pasi barazoi 1-1 me Las Palmas.

Sido që të jetë, 30 vjeçari nuk u largua nga stadiumi “Gran Canaria” pa një arritje. Ai realizoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë, i katërti këtë edicion.

Sipas asaj që raporton faqja për histori dhe statistika “Opta”, Leo Messi është lojtari i vetëm këtë edicion që ka shënuar 4 gola nga goditjet e dënimit (një më shumë se Neymari dhe Fekiri), aq kishte realizuar në vitin 2012, rekordi më i mirë personal.

Përveç kësaj, me supergolin kundër Las Palmas në stadiumin “Gran Canaria”, Leo Messi thelloi rekordin e finalizimeve në stadiume të ndryshme në Spanjë në kuadër të La Ligas.

Argjentinasi e qoi numrin në 36, duke lënë prapa Raul Gonzalesin që kishte shënuar me fanellën e Real Madridit në 33 stadiume të ndryshme.