Avokati i Popullit do të kërkojë ndryshimin e Ligjit për marrëdhënie obligative si kundërpërgjigje ndaj kamatave të përmbaruesve drejt qytetarëve. Zgjidhja ligjore e Qeverisë nuk ishte adekuate, për këtë arsye nevojitet ndërhyrje ligjore.

Naser Ziberi thotë se një numër i madh i ankesave të qytetarëve drejtuar institucionit të tij janë pikërisht për kamatat e fryra.

“Një numër shumë i madh ankesave është si rezultat i faturimeve të larta të borxheve si rezultat i kamatave. Mendoj se është e palejueshme që kamata të jetë 3 fish më e lartë se borxhi bazë që debitori e ka ndaj kreditorit. Mendoj se duhet urgjentisht të intervenohet. AP do të ngrit iniciativë për të ndryshuar Ligjin për marrëdhënie obligative me qëllim që të kufizohet niveli i kamatës”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Institucioni ballafaqohet me pengesa financiare për të zhvilluar obligimet ligjore. Ziberi thotë se kjo është tendencë që të pengohet puna e Ombudsmanit.

“Unë me ministrin e Financave jam në konflikt permanent për çështje elementare nuk kemi mjete për të zhvilluar aktivitetet. Është e palejueshme. Për vitin 2021 buxheti u shkurtua për 10 për qind nga viti paraprak. Një gjë e tillë ndodhi edhe me rebalancin në gusht, ndërsa buxheti i vitit 2022 edhe 10 për qind nga ai. Brenda 1 vitit për 30 për qind është shkurtuar buxheti. Unë këtë e kuptoj si tendencë për të ngulfatur institucionin”, u shpreh Ziberi.

Këtë vit janë adresuar 3,075 kërkesa, prej të cilave janë proceduar 2,085. Pjesa më e madhe kanë të bëjnë me çështjet nga sfera e jurisprudencës, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e konsumatorëve. Avokati i Popullit ka konstatuar se burgjet janë të mbipopulluara, ndërsa kujdesi shëndetësore dhe risocializues është jashtë çdo standardi.

Në burgun ndëshkues për fëmijë, vajzat nuk kanë kushtet elementare higjienike, ndërsa Avokati i Popullit thotë se për këtë do të ngritë iniciativë për mëvetësimin e tyre në institucion tjetër. Nga institucionet shtetërore, sipas Ziberit më bashkëpunues është treguar Banka Popullore, ndërsa më jo bashkëpunues Ministria e Shëndetësisë./