Donald Trump ka humbur zgjedhjet presidenciale amerikane, por vazhdimisht po i konteston rezultatet e saja.

Ai tashmë ka angazhuar një ekip ligjor për zgjedhjet, ku në krye është avokati dhe këshilltari ligjor, Rudy Giuliani.

Ky i fundit tregon disa raste se si kanë votuar disa personalitete megjithëse kanë ndërruar jetë.

“Vetëm një shembull se sa e pacipë është makineria demokrate e Filadelfias. Ish-kampioni i peshave të rënda, Joe Frazier votoi në zgjedhjet e 2018. Ai vdiq më 11/7/2011!!! Gjyshi i Will Smith votoi në 2017, 2018. Ai vdiq në 2016. Vë bast se Biden dominoi këtë grup. Do ta zbulojmë”, ka shkruar ai në llogarinë personale në Twitter.

Theksojmë se edhe disa senatorë republikanë e kanë këshilluar Trumpin të mos i pranoj rezultatet e zgjedhjeve presidenciale derisa ka vend për kontestimin e tyre.

Ndryshe, Joe Biden deri më tani ka siguruar 290 vota elektorale kundrejt Trumpit që ka 214 ndërsa fituesi shpallet kandidati që siguron 270 vota.