Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka zyrtarizuar kandidaturën e Azem Sadikut për të marrë pjesë në garat e 17-të tetorit, për të qenë edhe një mandat kryetar i Komunës së Studeniçanit, si dhe listën e kandidatëve për këshillin komunal ku bartëse do të jetë Mevlane Ibraimi.

“Dega e PDSH-së Studeniçan mbajti kuvendin e degës ku u miratua lista e kandidatëve për këshillin komunal që do të garojë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Bartëse e listës do të jetë Mevlane Ibrahimi. Në këtë kuvend kandidati i PDSH-së për kreun e komunës së Studeniçanit Azem Sadiku prezantoi para kuvendarëve të degës projektet e shumta të realizuara gjatë mandatit katër vjeçar si dhe elaboroi platformën me të cilën do të garojë në këto zgjedhje. Kjo platformë parasheh realizim të projekteve në të gjithë vendbanimet e komunës së Studeniçanit. I pranishëm ishte edhe kryetari i partisë z.Menduh Thaçi”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.