Nga Steven Erlanger
Bosnja Hercegovina është djepi i Luftës së Parë botërore. Ballkani ka qenë gjithnjë vend ku perandoritë, etnitë dhe fetë e ndryshme përplasen dhe garojnë. Analistët paralajmërojnë se rajoni mund të kthehet në fushëbetejë për atë që duket si nisja e një Lufte të Ftohtë. Rusia përpiqet vazhdimisht t’i shumojë tensionet etnike në vendet që duan të futen në BE. Përfshirja e tyre e ka zgjuar që tani Brukselin dhe e ka rikthyer te planet e zgjerimit. Uashingtoni gjithashtu e ka rikthyer vëmendjen, për shkak të rreziqeve të sigurisë në vendet që janë anëtare të NATO-s. Pasi perëndimi u bashkua kundër Rusisë, duke përjashtuar diplomatë të huaj për shkak të përpjekjes për të vrarë një ish spiun rus dhe vajzën e tij në Angli, Ballkani bëhet edhe më i rëndësishëm, sipas Mark Galeotit, një kërkues në Institucionin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë. “Rusia do të përpiqet të gjejë mënyra për t’u hakmarrë e për të zhvilluar mundësi të reja ndërhyrjeje”, thotë ai. Galeoti thotë se Rusia e sheh Ballkanin si një fushëbetejë ku mund të krijojë hutime si dhe leva për të forcuar negociata me BE-në.
Charles A. Kupchan, i cili ka qenë drejtor i Këshillit Kombëtar të Sigurisë të SHBA-ve, nën Presidentin Obama, tha se rusët po përfitojnë nga pjesa e fundit e Europës Perëndimore që mbetet e destabilizuar politikisht. Situata të kujton Ukrainën, ku Rusia fillimisht pranoi që Kievi të bashkohej me BE-në, por jo me NATO-n. Por më pas ndryshoi mendim dhe drejtoi revolucionin që solli aneksimin e Krimesë dhe ndarjen e Ukrainës lindore. Gara me Rusinë në Ballkan mund të mbjellë destabilizime të tjera në një rajon që ende s’e ka marrë veten nga luftërat e viteve 1990, pas ndarjes së Jugollsavisë. Shumë prej shenjave të luftës janë fshirë nga Sarajeva. “Holiday Inn”, që dikur u kthye në strehë ku gazetarë fshiheshin nga snajperët, tani është duke punuar me kapacitet të plotë. Bashkia, me arkitekturën që ishte monument i multikulturalizmit, në atë kohë u dogj dhe u bombardua. Sot është dekoruar sipas standardeve më të larta. Megjithatë, Bosnje Hercegovina mbetet vend i brishtë, i mbytur nga korrupsioni, udhëheqja e dobët politike si dhe nga përçarjet etnike midis komuniteteve, që janë metaforë për Ballkanin. Është një nga pikat kryesore që Rusia përpiqet të shfrytëzojë, sipas z.Kuptchan. Milorad Dodik, kryetari serb i Republikës Serbe në Bosnje, që ka status gjysmë autonomie, vazhdon të kërkojë një referendum për pavarësi. Pikat e tjera të dobëta që përpiqet të shfrytëzojë Rusia janë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe sllavëve në Maqedoni, Kosovë dhe Serbi. Duke qenë në dijeni për ndërhyrjet ruse, BE po ofron më shumë premtime për zgjerim me Bosnje Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën, nëse këto vende ofrojnë si këmbim reforma rrënjësore. Por skepticizmi në këto vende për Brukselin sa vjen e thellohet. Shumë prej tyre kanë dyshime për sinqeritetin e BE-së, që nga ana tjetër sa vjen e po bëhet më populiste, më e frikësuar nga emigrimi dhe më e kujdesshme ndaj zgjerimit, pasi pranuan Rumaninë dhe Bullgarinë.
Asnjeri nuk beson se vendet e Ballkanit janë gati për t’u bashkuar, dhe teksa zbehet qëllimi i bashkimit, po ashtu zbehet edhe urgjenca për t’i kryer ato reforma. Para katër vitesh, kryetari i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, tha se blloku nuk do të zgjerohej më nxitimthi. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov, e quan shpesh këtë situatë: “Është si të rrish i bllokuar në një dhomë pritjeje dhe s’ka një derë as për të dalë”. “Junckeri gaboi që tha se nuk ishin të interesuar për zgjerim”, thotë Carl Bildt, ish Ministër i Jashtëm i Suedisë dhe i Dërguar i Posaçëm i OKB-s në Ballkan. “BE ka vite që e ka larguar vëmendjen dhe pasojat kanë sjellë një kthim prapa”, thotë ai. Por pasi Britania u largua nga BE dhe pasi Rusia e shtoi përqendrimin, BE e ndryshoi planin e veprimit për Ballkanin. Madje ka arritur deri aty sa të thotë që nëse reformat shkojnë mirë, Serbia dhe Mali i Zi mund t’u bashkohen në vitin 2025. Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor, që u botua në shkurt, kishte gjashtë prioritete: 1) rendin ligjor; 2) sigurinë dhe emigrimin; 3) zhvillimin ekonomik- shoqëror; 4) transportin dhe energjinë; 5) dixhitalizimin; 6) pajtimin dhe fqinjësinë e mirë. Bullgaria, e cila mban presidencën e BE-së, do të mbajë një samit të posaçëm për Ballkanin në Maj. Në Qershor Ballkani do të jetë në axhendën e Këshillit të Europës; Britania do të drejtojë një samit në korrik dhe NATO një tjetër në Bruksel. “Duhet të çojmë në fund atë që nisëm në vitin 1989”, tha Johannes Hahn, komisioneri i BE-së për zgjerim. “Viti 2025 është si datë orientuese për Serbinë dhe Malin e Zi, datë realiste por edhe shumë ambicioze”. Shumë mendojnë se është shumë ambicioze, meqë BE këmbëngul se këto vende duhet të zgjidhin problemet e shumta e plot emocione që kanë për kufijtë. Raporti i BE-së e pranon që në Ballkan ka shumë probleme të brendshme. “Në këto vende ka elemente të qarta të kapjes së shtetit, lidhje me krimin e organizuar, korrupsion në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe përzierje e fortë e interesave publike me ato private”, thotë raporti. “Ka prova të qarta që politika ndërhyn dhe kontrollon mediat si dhe mungon një pavarësi e plotë e gjyqësorit”, shton raporti. Po t’i shtosh këtyre detajeve edhe faktin që ekonomitë e Ballkanit nuk janë konkurruese, dhe që të rinjtë vazhdojnë të largohen në kërkim të punëve më të mira jashtë vendit, afrimi me BE-në duket i largët. Por tani është shtuar edhe interesi i Amerikanëve, kryesisht prej ndërhyrjeve Ruse, siç thotë A. Ross Johnson, nga Hoover Institution, i cili shton se Kongresi i ka kërkuar Departamentit të Mbrojtjes një vlerësim të nivelit të bashkëpunimit që ka çdo shtet i Ballkanit me Rusinë.
Rusia e ka thënë qartë që zgjerimin e NATO-s në Ballkan e quan të papranueshme. Moska u përfshi edhe në një përpjekje të dështuar për grusht shteti në Mal të Zi, në vitin 2016, para se vendi të futej në NATO. “Rusia po përpiqet të rivendoset në zonë nëpërmjet bizneseve dhe lidhjeve me qeverinë, kështu që kur këto vende të futen në BE, të fusin edhe influencën ruse”, thotë Galeoti. Strategjia është e ngjashme me atë që Kina dhe Rusia po bëjnë me Greqinë dhe Qipron, të cilat shihen si vende ku paratë ruse mund të pastrohen duke u kthyer në Euro. Rusia është angazhuar fort edhe me media, me faqe të Kremlinit si “Sputnik”, dhe plot të tjera të ngjashme, të cilat u bëjnë jehonë pakënaqësive për qeveritë. Z.Bildt vë në dukje investimet që po bën Rusia në pika kyçe të infrastrukturës serbe, si energjia. Edhe pse investimet ruse janë shumë pak në krahasim me ato që ofrohen nga vendet e BE-së, Serbia ka lidhje të natyrshme me sllavët ortodoksë të Rusisë si dhe mban mend mbështetjen e tyre gjatë luftës për Kosovën. “A është e vëmendshme BE për atë që po ndodh në Serbi?”, pyet z.Galeoti.
Ai nuk mendon se nuk janë. “Politika e BE-së kanë mbështetur çdo gjë që ruan heshtjen në Ballkan, por kjo është e rrezikshme dhe krijon një mjedis të përkryer për lojërat e Moskës”, shton ai. Sipas tij, Brukseli duhet të angazhohet më shumë në ato që ofron dhe mënyra se si i kontrollon. Duhet të ofrojë shtysa të vërteta për reforma institucionale dhe sanksione të vërteta për ata që nuk i realizojnë. Një ish zyrtar i lartë i SHBA-ve e quajti zonën “fushëbeteja e re e Luftës së Ftohtë” dhe tha se Brukseli është shumë i ngurtë me mënyrat që përdor për t’i orientuar vendet e rajonit, dhe paratë që investohen nuk lidhen siç duhet me reformat që nevojiten. Ky zyrtar, që kërkoi të mbetet anonim për të ruajtur ndikimin në rajon, tha se vendet janë reformuar vërtet vetëm kur Brukseli dhe Uashingtoni kanë bashkëpunuar duke i detyruar politikanët e rajonit të largohen nga korrupsioni, kapja e shtetit dhe e gjyqësorit, si dhe duke mos i lejuar kompanitë ruse që të marrin mediat dhe pika kyçe të infrastrukturës. Por Europa nuk do të importojë më probleme brenda vetes. “Argumenti është që stabiliteti në Ballkan garantohet vetëm nëse bashkohen në BE”, tha Norbert Rottgen, kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në parlamentin gjerman. “Por a është e vërtetë kjo?”, shtoi ai. “Nëse importojmë shtete të brishta në BE, importojmë edhe brishtësinë e tyre. Do të fusnim në BE vende të brishta, të hapura ndaj ndikime të huaja. Prandaj duhet të tregohemi të ashpër me kërkesat e pranimit”. Ironia e historisë, sipas z.Bildt, është se po të kishte ndenjur e bashkuar Jugosllavia, tani do të ishte futur në BE, madje më përpara se Rumania dhe Bullgaria. “Po të mos kishin ndodhur luftërat, e gjithë zona do të ishte në BE. Ballkani ka jetuar gjithnjë më mirë kur ka qenë i integruar në një strukturë më të madhe. Kjo ka qenë e nevojshme në të shkuarën dhe mbetet e nevojshme edhe sot. Dhe mundësia e vetme që kanë sot për ta bërë këtë është Bashkimi Europian”, tha ai. Z.Kuptchan mbetet optimist. “E dimë që kjo histori do të përfundojë me futjen e gjithë vendeve ish-Jugosllave në BE. Por kur do të ndodhë, është pyetja?”, tha ai.
New York Times. Përktheu: Top Channel