Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkanin Perëndimor, rreth 1/3 e popullsisë në vend jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë.

Ky është vlerësimi më i fundit i Bankës Botërore, i cili paraqet dy skenarë sa i përket shtesës së varfërisë.

Në rastin më optimist në vitin e pandemisë në skamje u shtuan dhe 28 mijë persona, ndërsa në variantin më pesimist në Shqipëri në varfëri u renditën edhe 112 mijë të tjerë.

Goditja e tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 dhe më pas pandemia ndikuan në rritjen e këtyre shifrave në një periudhë të shkurtër.

Si pasojë e krizës dhe mbylljes së shumë bizneseve, papunësia në vend paraqitet e lartë me rreth 12% dhe kjo shifër është dy herë më e lartë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç.

Kategoritë më të prekura rezultojnë ato që punojnë në sektorët që sigurojnë më pak të ardhura si dhe pjesa e padeklaruar e punonjësve, që edhe pse shumë prej tyre humbën punën për shkak të pandemisë nuk arritën dot të përfitojnë edhe nga paketat mbështetëse të qeverisë.

Sipas Bankës Botërore gjatë këtij viti borxhi publik parashikohet të arrijë në 77.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në gjysmën e dytë të vitit 2021 mund të ketë një rritje të kredive me probleme thekson raporti.

Institucioni financiar ndërkombëtar parashikon rimëkëmbje të ngadaltë të ekonomisë në rajon dhe në Shqipëri, ku për këtë të fundit pritshmëritë janë që ekonomia të rritet me 4.4%.