Në gusht të vitit 2015 fshati Shipkovicë, përjetoi një katastrofë të madhe natyrore.

Reshjet intensive të shiut shkaktuan përmbytje të mëdha në këtë vendbanim duke lënë të vdekur katër persona dhe disa të tjerë të lënduar. Edhe dëmet material ishin të shumta.

Katër vite më vonë, kujtimi i banorëve për viktimat është ende i freskët, ndërsa dhimbja për ta nuk do të shuhet kurrë.

Gjatë vizitës në këtë venbanim, kamera e gazetës Lajm ka filmuar dëmet materiale që akoma nuk janë sanuar plotësisht.

Banorët ankohen për neglizhencën e autoriteteve dhe premtimet e parealizuara të shtetit.

Shqetësim më të madh përbën frika nga mundësia e përsëritjes së ndonjë fatkeqësie të ngjashme me atë të vitit 2015.
Banorët thonë se rreziku nuk është evituar dhe akuzojnë institucionet kompetente se nuk e kanë bërë punën e tyre.

Ata poashtu sqarojnë se i pa pastruar ka mbetur edhe përroi që në ditën e katastrofës solli shkëmbinj të mëdhej dhe drunjtë me gjatësi mbi 10 metra.

Nëpër fshat ende vërehen rrënime të shkaktuara nga përmbytjet e vitit 2015, shkruan gazeta Lajm.
Nuk është përmirësuar as infrastruktura, kurse ka edhe banorë që shtëpitë akoma i kanë të pabanueshme dhe që jetojnë me qira në Tetovë.

Ish kryetari i këshillit vendor të Shpikovicës, dyshon se mjetet e dedikuara për evitim të dëmeve janë keqpërdorur.
Nga komuna e Tetovës hedhin poshtë dyshimet për keqpërdorime. Zëdhënësi Armend Fazliu sqaron se komuna ka pas rolin e ndërmjetesuesit gjatë shpërndarjes së ndihmave dhe kompensimine dëmit për banorët e Shipkovicës.

Fazliu thekson se komuna është në disponim të qytetarëve të Shipkovicës për çdo problem të tyre.

Por, kompensimi i dëmeve nuk është i mjaftueshëm, thonë ekspertët. Që nga viti 2015 ata në vazhdimësi kanë përsëritur thirrjet për masa urgjente dhe ndërhyrje të menjëhershme për evitimin e rrezikut nga mundësia e përsëritjes së fatkeqësive.

Disa inxhinjer nga Tetova, kanë tërhequr vërejtjen se shirat e rrëmbyeshëm mund të sjellin katastrofa edhe më të mëdha se ajo e vitit 2015, nëse autoritetet nuk i dëgjojnë thirrjet e tyre dhe neglizhojnë problemin e përmbytjeve në rajonin e Tetovës./Lajm/

Për të parë videon klikoni këtu.