Në një takim me ambasadorin francez, Kristian Timonier, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka potencuar se BDI nuk heq dorë nga prioritetet e BDI-së, përfshirë rrumbullakimin e MO-së, sundimin e së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik. Nga LSDM përgjigjen shkurt në pyetjen se si ecin bisedimet.
“Akoma po vazhdojnë konsultimet brendapartiake. Në rast se ka takime të reja, do t’ju njoftojmë me kohë”, -thonë nga partia e Zaevit.
Nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta, thotë se vendit i duhet një qeveri që do të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve.
“Qytetarët presin që sa më shpejtë vendi të dalë nga kriza dhe të formohet qeveri që do të jetë e pranueshme për shumicën e qytetarëve. Me pranimin e asaj qeverie, në vendin tonë do të forcohet demokracia, liria, barazia dhe drejtësia në mesin e gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh se kujt komuniteti i takon”,- theksoi nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta.
Ambasadori francez konsideron se Maqedonisë i duhet një qeveri, sa më shpejtë që të mundet, duke theksuar mbështetjen franceze për proceset demokratike dhe përafrimin e Maqedonisë drejt BE-së.
“Besoj që nuk duhet të dramatizohet situata, sepse është mësim nga demokracia që të merret pak kohë për të krijuar një qeverisje. Pra, nuk jeni në gjendje krize, por megjithatë nuk duhet të humbet koha, sepse historia ecë shpejt”,- theksoi ambasadori i Francës në RM, Kristian Timonier.
VMRO-DPMNE disa herë e ka përsëritur se vetëm zgjedhjet e reja janë shpresë për vendin, në të kundërtën kriza do të thellohej edhe më tej.
“Më mirë të shpenzohen dy muaj për zgjedhje të reja, se sa gjashtë muaj ose një vit të pllakosur në krizë politike”,- deklaroi lideri i VMRO-së, Nikolla Gruevski, gjatë fundjavës.