BDI-ja pas konfirmimit se do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme në Maqedoni, përmes një komunikate i ka bërë thirrje presidentit të shtetit Gjorge Ivanov që menjëherë të tërheq vendimin e tij dhe të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re. Nga BDI thonë se me vëmendje janë duke e ndjekur situatën e krijuar pas vendimin të Ivanovit dhe mbeten të përkushtuar për plotësimin e pikave të Deklaratës së përbashkët.

“Shfrytëzojmë mundësinë që të risqarojmë që Deklarata paraqet një dokument të përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni, i përpiluar dhe e ideuar në Shkup, si një përmbledhje e programeve zgjedhore të të gjitha partive tona parlamentare dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet imponim nga asnjë faktor i jashtëm. Duke marrë në konsideratë që kjo Deklaratë është në përputhje me vlerat evropiane sepse përforcon kohezionin ndëretnik, ndihmon përforcimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe shtetin ligjor si dhe perspektivën EuroAtlantike të vendit tonë, ne konstatojmë që Deklarata e Përbashkët e partive Parlamentare Shqiptare është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e vendit dhe si e tillë nuk cënon në asnjë mënyrë integritetin e vendit dhe nuk rrezikon karakterin unitar dhe rendin kushtetues të shtetit. Gjithashtu, asnjë rresht i vetëm nga kjo Deklaratë nuk cënon Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”.

“Prandaj, ne ftojmë z. Ivanov, që në përputhje me obligimet e tija kushtetuese si dhe me kërkesën e tij gjatë konsultimeve me të gjitha partitë parlamentare, t’ia ndan mandatin për formimin e qeverisë shumicës së re parlamentare të konfirmuar me nënshkrimet e 67 deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e BDI-së.