Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim nga Brukseli ndaj propozimit të kreut të opozitës Hristijan Mickoski, lidhur me periudhën kur do të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese. Mickoski propozoi që ndryshimet në Kushtetutë të votohen, por përmes dispozitave përfundimtare dhe kalimtare, të saktësohet se ato do të hyjnë në fuqi para anëtarësimit në Bashkimin Evropian, respektivisht në momentin kur shtetet anëtare në parlamentet e tyre do të ratifikojnë protokollin për pranimin e Maqedonisë. Ndryshimet kushtetuese janë i vetmi kusht për caktimin e konferencës së dytë ndërqeveritare me Brukselin. Sipas partive në pushtet, kërkesa e opozitës nuk është në përputhje me kornizën negociuese tashmë të miratuar, por edhe ato dolën gjithashtu me propozimin e tyre.

“Pranohet kërkesa, për shtyrjen e vlefshmërisë së ndryshimeve Kushtetuese, domethënë nga dita e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare,” deklaroi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

Përndryshe, çështja e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese është rregulluar në konkluzionet e Këshillit Evropian, të cilat janë pjesë e kornizës negociuese, ku shkruhet se…

“Këshilli vendosi të thërrasë një konferencë tjetër ndërqeveritare, me qëllim të paraqitjes së Kornizës Negociuese dhe gjendjes së punës përgatitore nga Komisioni, dhe (Këshilli) është i gatshëm ta mbajë atë pa vonesa të mëtejshme, ose vendim politik sapo Maqedonia e Veriut të zbatojë angazhimin për të përfunduar ndryshimet e mësipërme kushtetuese”, – Konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Periudha për kompletimin e ndryshimit të Kushtetutës, u përcaktua më tej në Protokollin dypalësh me Bullgarinë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pajtohet që Konferenca e ardhshme Ndërqeveritare për të përfunduar fazën e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të mbahet pas hyrjes në fuqi të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, Protokolli i Marrëveshjes për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bullgarinë.

Më parë, opozita këmbënguli në mënyrë të përsëritur për ndryshimin e kornizës negociuese, por krerët evropianë theksuan se teksti nuk mund të rinegociohej. Por, siç thonë disa nga opozita, ekzistojnë përjashtime, të tilla si korniza negociuese e Serbisë, në të cilën u shtua një kapitull i posaçëm mbi Kosovën, edhe pse tashmë është miratuar, dhe negociatat aderuese kanë filluar. /alsat.mk