Fajtorët për dhunën në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill duhet të përgjigjen, por duhet të respektohet edhe prezumcioni i pafajësisë, porositi sot ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, përcjell Fol.

Në deklaratën e dhënë para Dhomës ligjdhënëse Bejli tha se Ambasada e SHBA-së së bashku me përfaqësuesit e BE-së në Maqedoni e ndjekin zhvillimin e ngjarjeve pas arrestimeve lidhur me dhunën në Kuvend.

“Siç thamë njëherë, ne, si miq dhe mbështetës të fuqishëm të Republikës së Maqedonisë, i ndjekim këto ngjarje të rëndësishme. Policia, prokuroria, sistemi gjyqësor, duhet të veprojnë në mënyrë transparente me respektimin e plotë të standardeve më të larta. Gjithsesi, ne, BE-ja thamë se përgjegjësit për ngjarjet e 27 prillit duhet të mbajnë përgjegjësi, por në proces, gjithashtu, duhet të respektohet prezumpcioni i pafajësisë. Edhe sot në Parlament do të ketë diskutim të rëndësishëm. Ky është roli i Parlamentit, të diskutojë. Kjo është pjesë e Qeverisjes demokratike”, tha ambasadori Bejli.

I pyetur për informacionet se trashëgimtar i tij do të jetë Hojt Ji, Bejli tha se akoma nuk ka ndonjë nominim për ambasadorin e radhës të SHBA-së në Maqedoni dhe se e autorizuara e vetme për emërimin e diplomatëve është Shtëpia e Bardhë.

Ambasadorin amerikan sot e shoqëroi Laura Kooper, ushtruese e detyrës zëvendës-ndihmëse e sekretarit për Mbrojtje të SHBA-së në takimin me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi. Ai sqaroi se Kooper në Maqedoni ka ardhur që të takohet me kolegët rajonal lidhur me konferencën e Grupit të Adriatikut dhe të vazhdojnë bisedimet për këtë forum të rëndësishëm. Kjo, sipas tij, ishte mundësi që të bisedohet edhe për marrëdhëniet e Mbrojtjes dhe të Sigurisë midis SHBA-së dhe Republikës së Maqedonisë. /Fol/