Ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ka përcjellë urimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke vënë në pah rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore.
Në mesazhin e tij, Shasivari theksoi se kujdesi për gjuhën amtare është njëkohësisht kujdes për kujtesën, dinjitetin dhe të ardhmen e një populli.
Ai rikujtoi se Kongresi i Manastirit përbën një nga momentet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, kur përfaqësuesit shqiptarë, pavarësisht dallimeve, arritën të bashkoheshin rreth një alfabeti të përbashkët.
Sipas tij, 36 shkronjat e alfabetit shqip u shndërruan në themelin e zhvillimit të arsimit, shkrim-leximit dhe kulturës shqiptare, duke krijuar një trashëgimi që vazhdon të bashkojë brezat.
Ministri Shasivari theksoi se respektimi i gjuhës shqipe nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të shënimit të datave historike, por duhet të dëshmohet çdo ditë, përmes përdorimit të saj, përcjelljes te brezat e rinj dhe respektimit të së drejtës për shprehje në gjuhën amtare.
Vëmendje të veçantë ai i kushtoi edhe përgjegjësisë së institucioneve në zbatimin e të drejtave gjuhësore, duke nënvizuar se ato janë pjesë e pandashme e barazisë para ligjit dhe dinjitetit njerëzor.
Sipas Shasivarit, të drejtat e garantuara me ligj duhet të jenë të qasshme dhe të zbatueshme në praktikë për çdo qytetar, e jo të mbeten vetëm dispozita formale.
Në përfundim, ministri i Drejtësisë, dr. Jeton Shasivari, me mirënjohje për rilindësit dhe pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, uroi të gjithë shqiptarët për 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

