“Kontakte të nivelit të lartë për çështjen e Shkupit; “Bisedë e kryeministrit të Shkupit me Tsipras dhe Kotzias”; “Zaev: ka vullnet për zgjidhje”; “Optimizëm për zgjidhjen e emrit” – janë disa nga titujt në mediat greke, të cilat i përcjellin deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë nga konferenca e djeshme për shtyp.

Për dallim nga më parë, kur rrallë herë kishte hapësirë në lajme për kontestin e emrit, siç lajmëron korrespondenti i AIM-it nga Athina, tani ngjarjet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë janë pjesë e edicioneve të lajmeve qendrore në të gjitha televizionet greke. Hollësisht përcillen qëndrimet edhe nga Shkupi zyrtar edhe nga Athina zyrtare, ndërkaq theksi vendoset në bisedën telefonike e Zoran Zaevit me Alexis Tsipras dhe Nikos Kotzias gjatë vizitës private të kryeminsitrit të Maqedonisë në Selanik, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Optimizëm për zgjidhjen e çështjes së emrit shprehën kryeministrat e Greqisë dhe Shkupit, vetëm disa ditë pas bisedës së tyre telefonike”, kumtoi televizioni Antena, duke i përcjellur qëndrimet e kryeministrit të Maqedonisë.

“Kryeministri i IRJM-së, Zoran Zaev, e shprehu optimizmin e tij se gjatë vitit 2018 do të gjendet zgjidhje për çështjen e emrit dhe shtoi se me zgjidhjen e këtij problemi, vendi do të arrijë të integrohet në NATO dhe të fillojë negociata për integrim në BE”, kumtoi televizioni grek Alfa.

Që kur kryeministri i Maqedonisë, dje në konferencë për shtyp zbuloi se gjatë qëndrimit të tij në Selanik, ka biseduar në telefon me Tsipras dhe Kotzias, nga kabineti i kryeministrit grek, mbrëmë, dërguan kumtesë zyrtare për gazetarët.

“Kryeministri Alexis Tsipras, dje, realizoi bisedë telefonike me kryeministrin e IRJM-së, Zoran Zaev, me rastin e vizitës së tij në Selanik, për t’ia uruar Vitin e Ri”, thuhet në kumtesën nga kabineti i kryeministrit Tsipras.