Masa të mëdha të sigurisë janë marrë sot në Shkup. Policia është e pozicionuar në të gjitha rrugët kryesore, kurse helikopterët vazhdimisht fluturojnë mbi qytet.
Shkak për këtë nivel të lartë të sigurisë është se nën organizimi të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot në Shkup mbahet mbledhja e liderëve të vendeve-pjesëmarrëse të Procesit Bërdo-Brioni, transmeton Gazeta Lajm.
Në mbledhje marrin pjesë presidentët e vendeve nga rajoni, si dhe kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Qëllimi kryesor i procesit Bërdo-Brioni është integrimi i tërësishëm i vendeve nga rajoni në Bashkimin Evropian, stabilizimi i gjendjeve në Ballkanin Perëndimor përmes përforcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura.
Siç kumtoi kabineti i presidentit Ivanov, në mbledhjen e liderëve të vendeve-pjesëmarrëse të Procesit Bërdo-Brioni, më 27 prill në Shkup, pritet prania e presidentëve të Shqipërisë, Ilir Meta, kryesuesi me Presidencën e BeH-së Bakir Izetbegoviq, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, presidentja e Kroacisë Kolinda Grabar Kitaroviq dhe presidenti i Malit të Zi Filip Vujanoviq.