Gjermania nuk po ia del të krijojë një kabinet qeveritar. Sikur të mos mjaftojë kjo, mediat britanike kanë nisur të tallen me Gjermaninë dhe kancelaren Angela Merkel. Kjo ka sjellë reagimin e gazetës më të madhe gjermane, Bild, që publikoi artikullin e mëposhtëm

Në Gjermani po zvarritet formimi i një qeverie, megjithatë një zgjidhje e re papritur duket e mundshme. Por janë britanikët që po tallen me ne.

“Merkel e tensionuar, fotot e mjerueshme,” komenton me keqdashje gazeta britanike Daily Mail për bisedimet e dështuara në arritjen e një koalicioni “xhamajkan”.

Përveç kësaj, një koleksion me foto të hidhura të Angela Merkel të martën në Bundestag, paraqitet në një dritë të pafavorshme. “Merkel var kokën e frustruar,” shkruan gazeta.

Diçitura sarkastike është: “Kancelarja e dëshpëruar vë duart në kokë, por zëdhënësi i Bundestagut thotë se pavarësisht dështimit të bisedimeve për koalicionin, nuk ka një krizë”.

Duket se ata i referohen një deklarate të presidentit të Bundestag-ut, Wolfgang Schaeuble, që tha se dështimi i bisedimeve për koalicionin ‘xhamajkan’ ishte një test, por jo një krizë shtetërore për Gjermaninë politike.

Edhe gazeta bulevardeske “The Sun” shkruan: “Merkel pengohet dhe bie nga slita”.

Sidomos britanikët e Brexit duhet ta dinë mirë se ç’është një krizë e vërtetë. Në krahasim me listën e problemeve të tyre, pamundësia për një koalicion në Gjermani duket e padëmshme: Negociatat për daljen nga BE janë të lëkundura, e ardhmja e mbretërisë është e pasigurt si kurrë më parë.

Ekonomia e tyre po dridhet, Skocia dëshiron të ndahet dhe karrigia e kryeministres Theresa May po lëkundet- si rastësisht për shkak të një palë zgjedhje të reja të humbura.

Situata kaotike të kujton një këngë punk të Sex Pistols të vitit 1976: “Anarki në Mbretërinë e Bashkuar”.

Edhe në politikën e jashtme gjërat nuk janë mirë për ishullorët: Ministri i Jashtëm Boris Johnson, dikur yll i politikës britanike, është pranë largimit sepse nuk e mban dot gojën mbyllur. Deklaratat e tij të panevojshme për një shtetas britaniko-iranian të paraburgosur në Iran kanë sjellë dyfishimin e pengjeve të marra nga mullahët.

Në këtë situatë, të qeshësh me problemet e vendeve të tjera është shumë e hidhur.