Britania ka kohë deri në fund të shtatorit për të dalë me plan të ri për Brexit

Kryeministri i Finlandës, Antti Rinne, tha se kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, ka kohë deri në fund të shtatorit për të paraqitur planin e tij për Brexit, apo daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Rinne tha se ai dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u pajtuan që Britania duhet të dalë me propozime të shkruara deri më 30 shtator; në të kundërtën, siç thanë ata, “merr fund”.

Finlanda mban aktualisht presidencën e BE-së.

“Ne do të vazhdojmë të negociojmë dhe do të dalim me propozime në kohë të duhur”, tha një burim i Qeverisë britanike, transmeton BBC.

Johnson ka thënë më herët se marrëveshja me Bashkimin Evropian, mbi kushtet e divorcit, është e mundur të arrihet në një samit të udhëheqësve të BE-së më 17 tetor, por ai ka këmbëngulur se Brexit-i do të ndodhë në afatin e 31 tetorit me ose pa marëveshje.

Vitin e kaluar, paraardhësja e Johnsonit, Theresa May, ka arritur marrëveshje me BE-në për Brexit-in, por ajo është refuzuar tri herë nga Parlamenti – çfarë e ka detyruar Mayn të japë dorëheqje.

Kundërshtimet e marrëveshjes kanë pasur të bëjnë kryesisht me politikat që i parashihte në kufirin me Irlandën.

Institucionet financiare e kanë paralajmëruar Britaninë për pasoja të rënda ekonomike nëse ajo e lë BE-në pa marrëveshje.

Qytetarët britanikë kanë vendosur për Brexit-in në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

SHPËRNDAJE