Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisionari i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, kanë përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë, njofton Alsat M.

“BE është e gatshme të mbështesë punën e Qeverisë, si dhe të opozitës, në mënyrë që të zbatohen të gjitha pjesët e Marrëveshjes së Përzhinës”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Mogherini dhe Hahn kanë shfaqur shpresën se partitë parlamentare do t’i lënë dallimet mënjanë dhe do të punojnë bashkërisht në agjendën e reformave, nga të cilat do të përfitojë e gjithë Maqedonia. “Kjo është e rëndësishme për rikthimin e vendit në rrugën evropiane – proces të cilin qytetarët e duan dhe e meritojnë”, kanë thënë Mogherini dhe Hahn. Departamenti amerikan i Shtetit ka uruar kryeministrin Zoran Zaev dhe shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë së re. Zëdhënësi i departamentit Nauert ka thënë se Shtetet e Bashkuara si mik dhe partner i Maqedonisë, presin të punojnë me Qeverinë e re e cila duhet të përpiqet të përmbushë aspiratat euroatlantike të vendit, duke u bazuar në reforma urgjente që forcojnë sundimin e ligjit, pavarësinë gjyqësorit, lirinë e mediave dhe llogaridhënien e Qeverisë.

Edhe ministri për Evropë i Britanisë, Sër Alan Duncan i uroi Maqedonisë për progresin pozitiv pas krizës politike afatgjate.