Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot për vizitë njëditore do të qëndrojë në Tiranë, ku do të realizojë takime me kreun shtetëror të Republikës së Shqipërisë, njofton Fol.

Në kuadër të vizitës Zëvendëskryeministri Osmani do të realizojë takime ndaras me Kryetarin e R. së Shqipërisë, Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit të R. së Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Ministrin për Europë dhe Punë të Jashtme të R. së Shqipërisë, Ditmir Bushati si dhe me Kryetarin e Partisë Demokratike të R. së Shqipërisë, Lulzim Basha.

Në takime do të diskutohet për bashkëpunimin bilateral, bashkëpunimin rajonal, zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella të Republikës së Maqedonisë me Republikën e Shqipërisë.

Vizita në Tiranë është pjesë e turneut Ballkanik të cilin Zëvendëskryeministri Osmani e filloi me vizitën e tij në Athinë në fillim të këtij muaji dhe i cili do të vazhdojë me vizitë në Beograd, ndërkaq pas saj edhe në Sofje. /Fol/