Ora policore në vend përsëri hyri në fuqi pasi kjo masë me 26 maj me vendim të Qeverisë u shfuqizua. Deri me këtë datë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë dorëzuar mbi 2500 urdhra penal. Rreth 30 për qind e këtyre gjobave janë shqiptuar vetëm në Shkup

Ndalesën për qarkullim gjatë orës së fundit policore e cila ishte në fuqi nga mbrëmja e 4 qershorit deri në mëngjesin e 8 qershorit, në Shkup e kanë shkelur gjithsej 340 qytetar. Nga policia e Shkupit, për gazetën KOHA, njoftojnë se numri më i madh i mos respektimit të orës policore janë regjistruar në Stacionin Policor në Çair, gjithsej 58 raste. Në kuadër të këtij stacioni policore kryesisht përfshihet territori i Komunës së Butelit, ai e Shuto Orizares dhe një pjesë e Çairit. Territori më i madh i kësaj të fundit në masë të madhe mbulohet nga Stacioni Policor i Bit Pazarit i cili gjatë karantinës së fundit 80 orësh ka konstatuar 54 shkelje të orës policore. Qytetarët e Komunës së Çairit e cila e kryeson listën e rasteve pozitive nga korona virusi në Shkup, ditën e diel ishin dëshmitar të aksioneve të shumta të Njësisë Speciale për Intervenim të shpejtë, nëpër lagjet e kësaj komune, me qëllim kapjen e qytetarëve që nuk e respektojnë orën policore. Kështu flasin edhe statistikat e Policisë së Shkupit, të cilët thonë se vetëm të dielën në Stacionin Policor në Bit Pazar janë arrestuar 23 qytetar. Aksionet e tilla i konfirmoi edhe vetë ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Qulev, i cili përmes një postimi në rrjetin social fejsbuk, sqaroi se me datë 7 maj pjesëtar të policisë kanë intervenuar në rrugën Metodija Mitevski, Emin Duraku, Vukovarska, Pançe Nedellkovski, Lazo Tërpkovski (Ferid Murat) dhe Nikolla Karev (Rruga e Plastikave).
Një situatë e ngjashme është regjistruar edhe nga Stacioni Policor i Gazi Babës, respektivisht 54 shkelje të orës policore janë regjistruar edhe në territorin e kësaj e komune, e cila ndryshe është njësia e vetëqeverisjes lokale me territorin më të madh në kuadër të dhjetë komunave në kryeqytet. Tutje, 45 shkelje të karantinës së fundit janë konstatuar edhe nga Stacioni Policor në Qendër, më pas rendit Stacioni Policor në Gjorçe Petrov, i cili kishte kryer 41 arrestim për shkelje të orës policore, vijon ai i Draçevës, me 32 raste. Statistikat e Sektorit të Punëve të Brendshme Shkup, flasin se shkeljet më të vogla të orës policore janë konstatuar nga Stacionet Policore në Karposh, (21 rast), në Kisella Vodë (19 raste) dhe Aerodrom (21 raste).
Përveç qytetit të Shkupit, në karantinë të plotë 80 orëshe ishte edhe qyteti i Tetovës dhe disa komuna përreth. Kësisoj nga Sektori i Punëve të Brendshme – Tetovë, i cili njëherësh e përfshinë edhe qytetin e Gostivarit, gjatë orës së fundit policore janë konstatuar 41 shkelje të orës policore. Në Manastir e rrethinë janë regjistruar 42 raste të shpërfilljes së karantinës, në Kumanovë, 38 raste, në Ohër 25 e kështu me radhë.
Ndryshe, ora policore në vend përsëri hyri në fuqi pasi kjo masë me 26 maj me vendim të Qeverisë u shfuqizua. Deri me këtë datë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë dorëzuar mbi 2500 urdhra penal. Rreth 30 për qind e këtyre gjobave janë shqiptuar vetëm në Shkup. Mesatarisht lartësia e një gjobë arrijnë 2 mijë euro. Dispozitat e Ligjit për procedurë penale parashohin që pas miratimit të aktakuzës të akuzuarit për shkelje të orës policore kanë tetë ditë të drejtë ankesë. Shfrytëzimi i të drejtës të ankesës të akuzuarve ju mundësojnë që t’i arsyetojnë veprimet e tyre para gjykatës, respektivisht prokuroria dhe pala e akuzuar ftohet të parashtrojnë dëshmi për dhe kundër. Në këso rrethana gjykatësi ka të drejtë të shfuqizoj vendimin paraprak apo të miratoj vendim të ri me gjobë më të madhe. (koha.mk)