Shkruan: Elkier Bushkolaj

Në vitin 2010 ish ushtari i UÇK-së, Rexhail Qerimi, dhe shtetasi Agim Islami u dënuan më burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Shkupit për vrasjen efektivit të Forcave Speciale, Afrim Arifi dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski, ngjarje e ndodhur në nëntor të 2008 pranë Universitetit të Shkupit.

Ky krim i klasifikuar si dosja “Alfa” çoi në pranga pa asnjë provë Rexhail Qerimin dhe Agim Islamin, të cilët edhe sot ndodhen prapa hekurave, ndonëse janë disa dëshmitarë që kanë rrëfyer më zë dhe figurë se Qerimi dhe Islami nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen.

Familjarët e të dënuarve kanë dhënë prova konkrete se ku ndodheshin, Rexhaili dhe Agimi, kur ndodhi ngjarja, por për trupën gjyqësore, provat e montuara dhe dëshmitë e rreme patën më shumë e vlerë se sa e vërteta.

“Alfa” apo “Monstra” janë vetëm një pjesë e rasteve të montuara nga autoritetet maqedonase që janë finalizuar më dënime të rënda për shumë shqiptarë të Iliridës.
Në kuadër të kësaj fushate antishqiptare, në ndihmë të organeve të drejtësisë së këtij shteti kanë qenë Shërbimi Sekret dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë e kjo me bekimin e armikut më të madh të shqiptarëve në 2 dekadat e fundit ,Nikolla Gruevskit.

Nuk e marr me mend se si ndihen ata shqiptarë që vuajnë dënimet për rastet e montuara në burgjet maqedonase kur shikojnë se Nikolla Gruevski mundi ti shpëtonte burgut dhe falë ndihmës së shtetit tyre amë, Shqipërisë.
Justifikimi i autoriteteve shqiptare se nuk u kishte mbërritur urdhri i Interpolit për shpalljen në kërkim të ish kryeministrit maqedonas është absurd, pasi edhe në Libi ku Gruevski ka kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij, e dinin se ai është shpallur në kërkim.

“Arratisja” e Gruevskit do ishte e pamundur pa ndihmën e vëllait të tij politik Zoran Zaevit, i cili u kujdes që kundërshtari i tij, pa të cilin sot Zaev s’do ishte kryeministër i Maqedonisë, të dënohet vetëm për rastin “Tanku”, blerjen abuzive të një makinë të blinduar, ndonëse ndaj tij rëndojnë shumë mëkate, ku në të gjitha rastet viktimat janë shqiptarët, për të vetmin faj, se janë autoktonë në ato troje.

Ai është fajtor për dënimet në masë të shqiptarëve përmes rasteve të montuara, për abuzime financiare dhe vjedhje votash,krime këto të faktuara, por drejtësia e këtij shteti artificial e dënon vetëm për blerjen e një makine.

Dje u përkujtua 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, e përfaqësuesit e Tiranës dhe Prishtinës u premtuan shqiptarëve të Maqedonisë se nuk do të jenë kurrë vetëm.

Ky zotim mesa duket do mbetet sërish vetëm në letër, pasi “pengjet” e UDB-së vijojnë të drejtojnë klasën politike shqiptare në Maqedoni dhe nuk u fol asnjë fjalë për regjistrimin e popullsisë që pritet të realizohet në Maqedoni në vitin 2020.

Sivllau i Gruevskit, Zoran Zaev, i cili erdhi në pushtet me votat e shqiptarëve ka menduar që në censusin e popullsisë në 2020, qytetarët e këtij shteti të regjistrohen në bazë të gjuhës që flasin, e jo në bazë të etnisë.

Pra nëse flet maqedonisht ti je maqedonas, e nëse flet shqip ti je shqiptar.

Kjo skemë synon që të gjitha pakicat që jetojnë në këtë shtet si ato turke bullgare, vllehe, rome, egjiptiane të regjistrohen si shtetas maqedonas.

Përmes shantazheve, dhunës policore, e mekanizmave të tjerë qeveria e Zaevit do detyrojë shumë shqiptarë të regjistrohen si maqedonas.

Kjo është një politike asimiluese, ku për fat të keq ideatorët e zbatuesit janë po të njëjtit, sllavët, ndërsa ata që paguajnë faturën janë sërish shqiptarët.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Maqedoni është realizuar në vitin 2002.

Pas manipulimeve dhe politikave përçarëse në bazë të regjistrimit rezultoi se 25.17 për qind e popullsisë së Maqedonisë janë shqiptarë, ndonëse numri real ishte shumë herë më i madh.

Ndërkohë duke u bazuar në këtë rezultat asokohe u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike në këtë shtet.

Sipas të dhënave jo zyrtare shqiptarët aktualisht përbëjnë mbi 50% të popullsisë se Maqedonisë, e ky fakt e trondit qeverinë e Shkupit, pasi sllavët nuk duan të humbasin parinë në këtë vend, e për këtë do përdorin çdo mjet për të manipuluar procesin e regjistrimit të popullsisë.

Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërhyjnë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve që në Maqedoni.