Prokurorja e Prokurorisë Themelore të Shkupit, Gordana Geshkovska, e etiketuar për ndikim politik kundrejt eprorëve të MPB-së lidhur me rastin e 27 prillit, mund të jetë në këtë post, edhe për 6 muaj të tjerë.
Pavarësisht se mandati i saj përfundon më 15 maj, ALSAT mëson nga burime tepër të sigurta, se Geshkovska pritet të vazhdojë detyrën e saj, si dhe përmbylljen e hetimit për ngjarjet e natës së përgjakshme në Kuvend. Sipas burimeve tona, Këshilli i Prokurorëve do të mblidhet të martën, me tendencë për t’i zgjatur mandatin Prokurores së Prokurorisë Themelore të Shkupit. Votimi në Këshillin e prokurorëve do të jetë i cenueshëm, pasi që prej 1 prillit, këshilli ka vetëm 10 anëtarë nga 11 që duhet të ketë.
Më 1 prill, Zoran Sulejmanovi doli në pension, por mos konstituimi i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvend, bllokoi zëvendësimin e tij. Këshilli i Prokurorëve nuk ka as Badenter, sikurse institucionet e tjera, kështu që vota e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera nuk llogaritet aspak. Gordana Geshkovska, nëse do të zgjidhej sërish në krye të Prokurorisë Themelore të Shkupit, do ta kishte këtë, zgjatjen e dytë të mandatit, pasi shtyrja e parë ishte në vitin 2012.
Geshkovska njihet më së shumti gjatë rastit “Monstra” kur kërkoi dënim maksimal për të dyshuarit, duke nxitur kështu edhe protesta masive. Jo vetëm kaq, por gjatë protestave, edhe për ata që thyen xhamat e gjykatës, u dënuan me nga 2.5 vjet burg. Në rastin konkret të dhunës në Kuvend, më 27 prill, Geshkovska ende nuk ka ndërmarrë asnjë lëvizje për organizatorët, e jo më për ata që i shkaktuan dëme materiale interierit të Parlamentit. Ndryshe prokurorja Gordana Geshkovska deri tani ka është marrë edhe me lëndët e njohura si rasti i gazetarit Nikolla Mlladenov dhe “Merimanga” apo rasti i Velija Ramkovskit./Alsat-M/