Analisti dhe këshilltari i presidentit të Kosovës, Adri Nurellar duke komentuar zhvillimet politike në Maqedoni ka bërë një analizë të thukët me qeverisjet e ndryshme autoritare nëpër botë dhe ka thënë se nëse Zaev dëshiron që të krijojë qeveri do të duhet patjetër që të amnistojë udhëheqësinë e VMRO-DPMNE-së, përndryshe ai nuk do të ketë sukses edhe nëse e krijon qeverinë.

Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara e kanë nxjerrë sërish VMRO-DPMNE-në fitimtare pavarësisht skandaleve të përgjimeve,  që kanë treguar haptazi se ata kanë kapur shtetin, kjo parti ka siguruar shumicën. Nga veprimet e presidentit Ivanov dhe protestat e ushqyera nga VMRO-DPMNE duket qartazi se kasta politike e vjetër është interesuar që një krizë të ligjit e demokracisë ta shndërrojë me çdo kusht në një krizë ndëretnike. Presidentin Ivanov nuk e pengonte platforma shqipare kur mandatar ishte Gruevski, mirëpo tani që partitë shqiptare zgjodhën LSDM-në përkundrejt partisë së tij për koalicion qeverisës, befas platforma shqiptare u bë çështje. Pra udhëheqësit e vjetër maqedonas po tregohen të gatshëm që të ndezin një konflikt etnik vetëm e vetëm që të qëndrojnë në pushtet. Sidoqoftë për të kuptuar dhe analizuar siç duhet kjo gjendje duhen bërë analiza krahasimore me vende të tjera që janë gjendur në situata të ngjashme të ndryshimit të regjimit sundues. Për të ruajtur stabilitetin e vendit dhe mbarë rajonit dhe duke qenë se mbështetja për klikën aktuale ngelet ende e lartë mes votuesve, një alternativë për një tranzicion të qetë mund të ishte skenari spanjoll i tranzicionit. Në rastin e Spanjës, pas shembjes së regjimit të Frankos, nuk pati fare drejtësi të tranzicionit, të gjitha palët vendosën ta mbyllin kapitullin e së kaluarës pa vënë para përgjegjësisë ligjore frankistët

Amerika Latine njihet se ka pasur junta ushtarake e diktatorë që kanë qeverisur me dimension autoritare të niveleve të ndryshme mirëpo pasi këto regjime janë rrëzuar forcat e reja që erdhën në pushtet u ballafaquan me mëdyshjen e madhe morale të zgjedhjes mes drejtësisë dhe stabilitetit. Pra regjimet e reja ndodheshin para dilemës së rëndë që në njërën anë kishte drejtësinë dhe hakmarrjen për shkeljet e abuzimet e bëra dhe në anën tjetër nevojën për stabilitet dhe kohezion social. Në shtete të ndryshme të Amerikës Latine si Kili, Brazil, Argjentinë, Bolivi, Paraguaj dhe Uruguaj, qeveritë që erdhën pas rrezimit të klikave autoritare që kishin kapur shtetin, zgjodhën që të mbyllnin kapitullin e së kaluarës, dhe të ndërtonin një kapitull të ri nga e para, pa u marrë me vënien para gjyqit të atyre që ishin përgjegjës për abuzimet e regjimeve pararendëse. Shpesh regjimi i ri me vetëdije ua ka lënë makinën apo avionin e arratisjes gjeneralëve të juntave në mënyrë që të shmangej gjakëderdhja që do vinte prej dëshpërimit e nevojës për mbijetesë.

Me pak fjalë kuptohet se humbja e pushtetit është gjë e rrezikshme për diktatorët sepse kur vjen ai  moment ata ballafaqohen me rrezikun e reprezaljeve nga të sapoardhurit. Prandaj historia tregon që një ndër gjërat që ndodh më se shpeshti me diktatorët është ekzili apo syrgjynosja diku jashtë vendit. Pra nëse nuk marrin garanci në vend për sigurinë e tyre ata thjeshtë arratisen dhe të tillë ka plotë si Markosi i Filipineve, Strosner i Uruguajit, Duvalier i Haitit , Mobutu i Zaires etj.   Faktikisht në epokën pas Luftës së Dytë Botërore rreth 20% të ish diktatorëve ose më saktë 98 syresh, janë larguar nga vendi në ekzil pasi kanë humbur pushtetin. Nga ana tjetër, nëse drejtuesit e regjimeve e kanë të vështirë që të gjejnë destinacione ekzili që ofrojnë mbrojtje të besueshme, ata kanë incentive që të mbajnë pushtetin me çdo kusht e kosto. I tillë është rasti i Muhamet Kadafit në Libi I cili i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve vendosi të luftonte me ç’të mundte deri në fund të jetës.

Në rastin tonë ngjashmëria qëndron në faktin se në kushtet e akuzave të rënda që iu qëndrojnë mbi krye, udhëheqësit e VMRO-DPMNE-së mund të jenë të gatshëm që të bëjnë çfarëdo akti ekstrem, qoftë edhe çuarja e vendit drejt një përplasje ndër-etnike, vetëm e vetëm për të siguruar mbijetesën e tyre. Siç treguan votat, me vete ata kanë mbështetjen e një pjesë të mirë të popullit. Po ashtu kontrollojnë një pjesë të mirë të aparatit të sigurisë dhe deklarata kërcënuese e Ivanovit në 10 mars ku i bënte thirrje rolit të ushtrisë, nuk është aspak rastësi. Me pak fjalë është shumë e vështirë që të vij në pushtet Zevi po qe se pushtetin nuk e lëshon Gruevski. Madje dhe nëse ia del ta formojë qeverinë pa mandatimin e presidentit, me kaq mbështetje sa ende ka VMRO-DPMNE, vështirë se do të ketë stabilitet qeveria e re e rotacionit. Kjo do të thotë që për hir të stabilitetit mund të ishte e arsyeshme që klikës së vjetër t’i jepen garanci amnistie se nuk do t’iu ndodh gjë pas rotacionit nëse tërhiqen nga politika. Po ashtu në të njëjtën frymë mund të ishte e arsyeshme që t’iu jepeshin oferta strehimi për ndonjë ekzil eventual pas rotacionit.  Për hir të së vërtetës një veprim i tillë nuk është i drejtë dhe i këndshëm por mund të konsiderohet një e keqe e vogël për t’u gëlltitur përpara një të keqe të madhe që kërcënon rëndë, sikurse është konflikti civil potencial.