Çmimi i rrymës vitin e ardhshëm nuk do të rritet më shumë se 10% pohon ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, shkruan alsat.

Edhe pse kompanitë energjetike në KRRE kanë dërguar kërkesë për rritje më të lartë të rrymës për shkak të shpenzimeve të larta, Bekteshi shprehet se nuk do të ketë ndryshim të lartë të çmimit pas Vitit të Ri.

Nga viti i ardhshëm, Qeveria planifikon të zbatojë pagesë progresive të rrymës, ose më të pasurit të paguajnë më shumë ose të varfrit të paguajnë më pak.

“Tashmë po përpunohen modele të reja në pjesën e përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike me modelin e bllok tarifave, ku do të inkurajojmë qytetarët të kursejnë energji. Ata që janë kategori më të rrezikuara të qytetarëve mund të kenë ulje të energjisë elektrike nga qershori i vitit të ardhshëm, e ata që kanë konsum më shumë se 1 megavat, sipas shifrave që kemi, ka familje që konsumojnë më shumë dhe kjo është shumë, ndoshta janë shumë të pasur dhe për ta do të dyfishohet çmimi i energjisë elektrike”, tha Kreshnik Bekteshi- ministër i Ekonomisë.

Krahas ndarjes së 65 milionë eurove për kompanitë MEPSO dhe EMV, nga buxheti do të ndahen 15 milionë shtesë për nevojat e TEC Negotinës për furnizim të mazutit, shton Bekteshi. Ky central pas 12 viteve filloi me punë në njërin bllok që prodhon 90 megavat në orë.

Me aktivizimin e të gjitha blloqeve në TEC Negotinë pritet zëvendësimi i mungesës së energjisë elektrike, por edhe prodhimi i tepricës, që mund të shitet në tregun e lirë.