Kërçova në muajin e parë të pandemisë rezultoi e pa prekur nga Covid-19.

Por tash Covid-19 ka marrë një hov edhe në këtë qytet, deri më tani janë 88 perona të prekur me Covid-19 nga ata 75 janë raste aktive.

Koronavirusi në këtë qytet ka marrë 3 jetë njerëzish mes të cilëve edhe myftiun e Myftinisë së Kërçovës, Murat Huseini.

Nga Shtabi i krizës për Covid-19 në Kërçovë thanë se myftiu i Kërçovës para disa ditëve është dërguar në Klinikën e Shkupit në gjendje të rëndë por që në Kërçovë nuk është testuar, testi për Covid-19 i është bërë në Shkup.

“Pacienti më datë 02.07 e enjte në gjendje të rëndë është paraqitur tek mjeku amë, mjeku amë pasi e konstaton gjendjen e tij i cili ka pasur vështirësi në frymëmarrje, ulje të saturimit të oksigjenit dhe kollitje e kanë dërguar me ndihmën e shpejtë në klinikën “8 shtatori” në Shkup si i dyshuar për Covid-19. Për dy javë radhazi është trajtuar në atë klinikë”, tha për TV21, Xhabir Bajrami nga Komisioni i krizës Covid-19 Kërçovë.

Rastin për Tv21 e konfirmoi edhe sekretari i Myftinisë së Kërçovës Qamil Rushiti. Ai apeloi tek të gjithë që të kemi kujdes sa i takon Covid-19 sepse numri në Kërçovë rritet vazhdimisht.

“Që para një jave ka qenë i shtruar në klinikën “8 Shtatori” në Shkup ku është pranuar në gjëndje të rëndë shëndetësore dhe aty është konfirmuar që ka qenë pozitiv me Covid-19 dhe ka marrë trajtimin në atë spital, mirëpo sot është vështirësuar gjendja e tij dhe ka ndërruar jetë”, deklaroi Qamil Rushiti, Sekretar i Myftinisë së Kërçovës.

Më 30 qershor në Kërçovë nga Covid -19 u prek një imam xhamie andaj u vendos që xhamitë e qytetit të Kërçovës të qëndrojnë disa ditë të mbyllura për të ruajtur shëndetin e xhematit që falet në xhami.