U anulua seanca gjyqësore për rastin “Sopoti”. Arsye për këtë ishte ndryshimi i trupit gjykues dhe përfaqësuesve të aktakuzës të cilën tashmë e përfaqëson Prokuroria Speciale Publike. Mbrojtja gjithashtu kërkoi anulim të seancës me qëllim njohjen me palët e reja.

”Me qëllim që kjo procedurë të shkojë sa më shpejtë dhe të mos stërzgjatet si deri tani që ka ndodhur, kërkuam një anulim të shkurtër që e pranoi edhe gjykata. Me 18-tin do të jetë seanca e ardhshme ku edhe do të bëhet koncentrimi i të gjitha dëshmive të cilat edhe do të shqyrtohen dhe shpresojmë që në atë seancë edhe të përmbyllet shqyrtimi i të gjitha dëshmive në këtë procedurë”, tha avokati mbrojtës Vullnet Paçuku, njofton Alsat M.

Dëshmitarin e parë që mbrojtja do ta propozojë do të jetë Ramadan Bajrami, por nuk përjashtohet mundësia që në mesin e dëshmitarëve të propozohen edhe ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mihajllkov.

”Ne edhe paraprakisht kishim dëshmuar me prova materiale dhe verbale pafajësinë e të gjithë këtyre të akuzuarve. Prandaj tërë kohës kemi pretenduar në pafajësinë e të tyre. Nëse në procedurën e mëtejmë, varësisht provave që do të prezantohen, ne kemi të drejtë të propozojmë dëshmi të tilla”, theksoi Vullnet Paçuku.

Rasti “Sopoti” ishte temë diskutimi në njërën nga bisedat e përgjuara të ish ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkov. Duke u bazuar tek kjo telefonatë si dëshmi e mundshme, Prokuroria Speciale më 4 nëntor të vitit 2016 kërkoi edhe zyrtarisht nga Prokuroria Publike t’i mundësohet për hetim lënda “Sopoti”. Kjo e fundit, kërkesën e PSP-së e dërgoi në Këshillin e Prokurorëve Publik, anëtarët e të cilit ishin të ndarë në lidhje me kërkesat e Katica Janevës. Më 5 korrik të këtij viti, Këshilli i Prokurorëve dorëzoi rastin “Sopoti” në duart e PSP-së. Për këtë rast janë dënuar 11 banorë të këtij fshati me 150 vite burg nën dyshimet se kanë vendosur minë në veturën e forcave të NATO-s, që la viktima dy ushtar polak. /Fol/