Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në lidhje me kërkesën e Shkupit që qeveria serbe të mos e përdorë referencën ofenduese IRJM, është përgjigjur se Beogradi zyrtar nuk mendon se kjo është ofenduese, por ofenduese është përdorimi i termit “Republika e Kosovës”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, nga Serbia kërkoi që të mos e përdorë referencën IRJM, por emrin kushtetues “Republika e Maqedonisë”.

“Ne vetëm kërkojmë sjellje korrekte. Përderisa ata protestojnë për llogaritë e doganave, atëherë çfarë duhet të bëjmë ne për njohjen e tyre të Kosovës dhe për votimin në UNESCO”, ka thënë Daçiq, njoftojnë mediat serbe.

Ministri serb, gjithashtu ka pyetur Maqedoninë se pse nuk heq dorë nga OKB-ja, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe anëtarët tjerë të BE-së, përderisa mendojë se IRJM është emër ofendues./Telegrafi/