Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka vendosur masa të reja të reciprocitetit ndaj vendit të tij.

Daçiq ka thënë se për Serbinë është i  papranueshëm veprimi i Prishtinës, e cila ka ndaluar hyrjen e mallit nga Serbia pa dokumente ku shkruhet “Republika e Kosovës”. Madje, sipas tij, vetë reciprociteti është një masë me e keqe se tarifa 100 për qind.

“Këto janë masa të reciprocitetit për të cilat as qytetarët e Serbisë e as bashkësia ndërkombëtare nuk janë pajtuar, njëjte si atë taksën, e cila pat dyfishuar çmimin e mallrave, por së paku qarkullonte. Qeveria në Prishtinë ka marrë vendim të masave të reciprocitetit, hap i cili u mirëprit nga ana e disa shteteve. Ndërsa ne menjëherë kemi thënë që kjo gjë është e papranueshme”, citohet të ketë thënë Daçiq për RTS.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë ka thënë që dialogu nuk mundë të vazhdojë me këto masa të ekzekutivit kosovar andaj edhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të reagojë sa më shpejt.

“Nuk kemi ndër mend të vazhdojmë dialogun deri sa nuk hiqet tarifa  dhe reciprociteti. Për neve kjo është e papranueshme, dhe i mohon të gjitha marrëveshjet. Me të drejtë presim reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Richard Grenell më herët ka reaguar për këtë çështje dhe ka thënë se vendosja e masave të reciprocitetit është një lloj me vendimin për heqjen e taksave”, theksuar ai.

Duke ju referuar dialogut, diplomati serb ka thënë që dialogu është munduar të mbahet gjallë me frymëmarrje artificiale.

“Dialog nuk ka, dhe në tërë këtë situatë shumë faktorë ndërkombëtar janë përpjekur që të mbajnë bisedat në frymëmarrje artificiale si Merkeli dhe Makroni, ndërsa qasja e administratës amerikane është ndryshe nga qasja e Bidenit dhe Hillary Clintonit”, ka thënë tutje ai për RTS.