Është arrestuar ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muhamet Sejdini, nën dyshimin për abuzim të rëndë financiar. Nga Prokuroria bëjnë të ditur se në kuadër të një kallëzimi të ngritur në Prokurorinë Publike të Shkupit, zyrtarët policor nga Departamenti për Parandalimin e Krimit të Organizuar, kanë privuar nga liria ish-kryetarin e FFM-së, për shkak të veprimeve që tregojnë dyshime për vepra penale – përvetësim dhe keqpërdorim, shkruan Portalb.mk. “Veprimet janë ende duke u ndërmarrë me urdhër të prokurorit publik, dhe më shumë detaje rreth rrjedhës së mëtejshme të procedurës do të ndahen pas përfundimit të veprimeve në vazhdim”, bëjnë të ditur nga Prokuroria.
Sipas informacioneve, rasti përfshin përvetësim e afër 700,000 eurove, që lidhet me një pagesë paraprake për ndërtimin e një tribune në stadiumin Biljanini Izvori në Ohër. Pagesa, siç është njoftuar më parë nga FFM, është bërë pa një vendim të përshtatshëm të Bordit të Drejtorëve, pa një garanci bankare dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara.
Sipas të dhënave në dispozicion, kryetari i atëhershëm i ka miratuar në mënyrë arbitrare një pagesë paraprake për një kontraktor, megjithëse kontrata fillimisht nuk parashikonte një kusht të tillë. Si rezultat, siç u tha nga Federata, anëtarët e Bordit të Drejtorëve u mashtruan dhe u shkaktua dëm i konsiderueshëm financiar.
Ndryshe, për rastin e njejtë ish-kryetari i FFM-së, më parë është sanksionuar nga vet FFM për mashtrim financiar në lidhje me punimet e ndërtimit në stadiumin e Ohrit. Muamed Sejdini shërbeu si kryetar i FFM-së për dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025.

