Prokurorët turq kërkuan të hënën burgim të përjetshëm për 40 ushtarakët në gjyqin e tentativës së vrasjes së presidentit Tajip Erdogan gjatë grushtit të dështuar të shtetit vitin e kaluar.

Të akuzuarit u sollën me autobus, nën masa të rrepta sigurie në gjykatën e qytetit jugperëndimor të Mugla, jo larg rezidencës presidenciale ku Erdogan dhe familja e tij, raportohet t’i kenë shpëtuar ushtarëve duke u larguar me helikopter, pak para sulmit.

 Akuzat e ngritura nga prokurorët për 47 të dyshuarit ishin tentativë vrasje e presidentit, shkelje e kushtetutës dhe anëtarësi në organizatë të armatosur terroriste.

Një prej të dyshuarve pranoi se kishte si mision kapjen e Erdogan, por jo vrasjen e tij.

“Misioni im ishte të merrja presidentin dhe ta sillja shëndoshë e mirë në bazën e Akinci”, tha Gokhan Sonmezates në gjykatë, duke iu referuar një baze ushtarake jashtë kryeqytetit Ankara që raportohet se ka funksionuar si selia drejtuese e puçistëve.

Turqia thotë se grushti i shtetit u organizua nga kleriku me bazë në SHBA, Fethullah Gulen, i cili jeton ne ekzil në Pennsylvania prej vitit 1999.

Ish-brigadieri gjeneral Sonmezates, përshkruhej në padi si lider i misionit, gjë të cilën ai e mohoi, ashtu si dhe anëtarësinë në rrjetin e Gulen. “Po punoja për vendin tim, për ndalimin e kalbëzimit, korrupsionit dhe për ta mbrojtur atë nga PKK”, tha ai duke iu referuar grupit militant Partia Punëtore Kurde.