Shkelje e të drejtave të njeriut, drejtësi selektive, korrupsioni dhe uzurpimi i mediave, janë vetëm një pjesë e vërejtjeve në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Maqedoninë.

“Problemi më i madh sa i përket shkeljeve të të drejtave të njeriut, rrjedh nga korrupsioni i madh dhe mossuksesi i Qeverisë në respektimin e sundimit të ligjit, duke përfishirë edhe përpjekjet e vazhdueshme për kufizimin e lirisë së mediave, ndërhyrjen në gjyqësor dhe pengimin e punës së Prokurorisë Speaciale Publike, si dhe drejtësia selektive”, thuhet në raportin e DASH-it.

Ata konstatojnë se shkelja flagrante e të drejtave të njeriut reflektohet edhe përmes zvarritjes së procedurave gjyqësore, shkeljen e të drejtave për gjykim të drejtë dhe publik, dhe korrupsionit në sistemin gjyqësor.

“Qeveria nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që t’i hulumtojë, procesuojë ose dënojë zyrtarët të cilët i kanë shkelur rregulloret ose procedurat, duke përfshirë edhe zyrtarët policor për përdorim të tepruar të forcës. Mosndëshkimi edhe më tej mbetet një problem i rëndësishëm dhe shumë i përhapur”, thuhet më tej në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Maqedoninë./SHENJA/