Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti ka vazhduar me ngulm në angazhimin e saj që asnjë qytetarë që i takon shtetësia të mos mbetet pa të.

“Jam shumë e lumtur, sepse çdo ditë na vijnë lajme të mira nga qytetarë të cilët pas shumë vitesh po e fitojnë betejën për të drejtën e tyre për shtetësi. Ky është një rezultat falë ligjit që me ngulm e sollëm në Kuvend dhe falë bashkëveprimit që po bëjmë në vazhdimësi. Në kuadër të seancës për pyetje të deputetëve, personalisht parashtrova letër në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me rastin e zotëri Nexhat Sefedinit, i cili ka jetuar dhe është shkolluar në Kumanovë, por të cilit nuk i aprovohej shtetësia. Ndaj pyetjes së shkruar, MPB ka dhënë përgjigje pozitive dhe z. Nexhati përfundimisht pajiset me shtetësi.” shkruan deputetja Dauti.

Deputetja Ilire Dauti, më tej shton se ky është një lajm vërtetë i mirë, pasi që hapet rruga që të zgjidhet edhe problemi i anëtarëve të tjerë të familjes. Deri më tani as fëmijët e tij nuk kanë poseduar shtetësi, ndërsa tani, shumë shpejt edhe për ata do të presim lajme të mira.

Ashtu siç u zotuam në fillim, angazhimi ynë për të zgjidhur problemin me shtetësi të mijëra shqiptarëve, nuk do të ndalojë me miratimin e ligjit. Edhe pas kësaj ne vazhdimisht ndjekim zbatimin e ligjit, zvarritjet që shkaktojnë nëpunësit dhe pengesat në të cilat hasin qytetarët. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, bashkëpunimit me media, shkresave të drejtpërdrejta drejtuar Qeverisë dhe MPB-së, arrijmë të zgjidhim për çdo ditë shumë raste të qytetarëve.

Të dashur qytetarë, me ligjin e miratuar me iniciativë të Aleancës për Shqiptarët, kemi krijuar mundësinë ligjore, ndërsa tani duhet bashkërisht ta zbatojmë atë në praktikë dhe t’i fitojmë të drejtat tona. Unë personalisht dhe kolegët e mi deputetë nga Aleanca për Shqiptarët, si dhe gjithë subjekti, jemi këtu gjithmonë në përkrahjen tuaj.