Deri më 10 gusht do të jenë gati protokollet për zhvillimin e mësimit

Një muaj para fillimit zyrtar të vitit të ri shkollorë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Komisioni për sëmundje infektive, akoma nuk kanë ndonjë plan se si do të zhvillohet procesi arsimorë. Kështu thonë nga VMRO-DPMNE-ja, nga ku nënvizojnë se ofrojnë zgjidhje konkrete me 10 pika me çka do të mundësohej proces efektiv dhe i pandërprerë edukativ për nxënësit, në situatën e krijuar nga koronavirusi.

VMRO-DPMNE
“Presim që Ministria e Arsimit dhe Shkencës t’i marrë parasysh propozimet tona dhe të përgatit punonjësit arsimorë, prindërit dhe nxënësit për vitin e ri shkollorë. Na vjen keq që pushteti nuk kishte plan konkret për menaxhimin e gjendjes së re, për shkak të së cilës dëmi më i madh u bëhet nxënësve.”

Në ndërkohë grupet e punës së MASH-it me Komisionin për sëmundje infektive kanë paralajmëruar një takim për të përcaktuar versionin përfundimtar të planeve dhe protokolleve se si të zhvillohet mësimi në kushte të pandemisë. Zëvendës Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska për MIA ka deklaruar se shpreson që deri më 10 gusht protokollet do të miratohen nga Qeveria dhe do të prezantohen para publikut.

Elizabeta Naumovska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës
“Ne kemi modele dhe ia lëmë vetëqeverisjeve lokale, të cilat gjithashtu kanë shtabe të krizave, për të vlerësuar se cili model, nga ata që do t’i ofrojmë dhe në cilën periudhë do të jetë i dobishëm, sipas fotografisë epidemiologjike. Qëndrimi ynë i përgjithshëm, si në shumicën e vendeve në botë, është të organizojmë klasa me praninë fizike të nxënësve dhe me respektim të masave të mbrojtjes. Kjo do të varet edhe nga mjedisi, varësisht nëse ka ose jo të infektuar me virus.”

Naumovska tha më tej se aty ku do të ketë mësim në distancë nuk do të thotë se modeli i mësimit elektronik do të zbatohet gjatë gjithë vitit shkollor, por vetëm për sa kohë do të ekzistojë rreziku nga virusi duke shtuar se do të jetë e mundur të kalohet nga një model në tjetrin. Ajo shpjegon se mësimi i kombinuar do të zbatohej duke bërë rotacion të nxënësve të një klase – disa të shkojnë në shkollë dhe të tjerët që qëndrojnë në shtëpi dhe në të njëjtën kohë e ndjekin mësimin onlajn. Rotacioni do të ishte në çdo dy javë. Kështu do të shkarkohej edhe transporti i nxënësve, sepse protokollet e transportit gjithashtu imponojnë maksimum prej 50 përqind të kapacitetit të automjeteve. Mësimi i kombinuar planifikohet të zbatohet te paralelet më të mëdha. Naumovska tha se për paralelet me numrin maksimal të nxënësve, në Shkup dhe qytete të tjera të mëdha do të kërkojnë që komunave t’u ndihmojnë me hapësirë ​​shtesë shtetërore, ku nxënësit mund të vendosen. Pavarësisht se cili model mësimor do të zgjidhet, orët mësimore planifikohen të shkurtohen e për më të vegjlit të zgjasin 20 minuta. Për mësimin elektronik do të përcaktohet një platformë që do të zbatohet në nivel të shkollës, por që mund të ndryshojë nga shkolla në shkollë. Me qëllim që mësimdhënësit të jenë të angazhuar në mënyrë të barabartë në onlajn mësimin në internet dhe që të mos ketë justifikime se nuk kishin pajisje ose qasje në internet, propozohet që mësimi në distancë të realizohet nga shkolla. Pasi të miratohen protokollet, drejtorët e shkollave do të kenë një javë për të hartuar plan për shkollën e tyre sipas udhëzimeve nga MASH sepse, tha Naumovska, ata e dinë më së miri situatën në terrenin e tyre dhe si ta menaxhojnë më së miri situatën.