Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Lagjja e trimave” në Gjykatën Supreme në Shkup kanë dëshmuar shtatë dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e të akuzuarve. Familjarë, fqinj dhe miq të të akuzuarve kanë folur për ditën para përplasjes së policisë me grupin e Kumanovës më 9 dhe 10 maj 2015.
Dëshmitari i parë, i cili është i punësuar në MPB, në dëshminë e dhënë me kërkesë të të akuzuarit Arsim Bajrami, pasi që kanë qenë kolegë, tha se në mëngjesin e 9 majit e ka parë Bajramin në fshatin Reçicë. Bajrami i ka thënë se është duke shkuar drejt stacionit policor pasi që e kanë thirrur, ndërsa ka qenë në pushim mjekësor. I akuzuari Bajrami ka përfunduar Fakultetin për Administratë publike në Universitetin e Tetovës, ndërsa ka punuar si polic në MPB.
Gjykimi për “Lagjen e trimave” duhet të vazhdojë të premten, kur 37 të akuzuarit për terrorizëm në këtë rast për herë të parë do të japin dëshmi para gjykatës.
Më 9 dhe 10 maj 2015 në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë një grup i armatosur është përplasur me forcat e sigurisë. Nga të shtënat jetën e humbën shtatë policë të njësiteve speciale të MPB-së dhe 14 u lënduan rëndë si dhe dhjetë persona të grupit të armatosur.