Ashtu si 30 vite më parë kur hapi dyert për mijëra shqiptarë që zbarkuan në brigjet e saj përtej Adriatikut, Italia mike jep një tjetër mesazh mbështetjeje për Shqipërinë. Në krah të kryeministrit Rama, gjatë pritjes së organizuar nga Këshilli Rajonal i Puglia-s, që përkujtoi 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve drejt Italisë, Ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, u shpreh i bindur se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian.

“Lidhja jonë që tashmë është e fortë e gjen mbështetjen dhe në NATO, nuk mund të mos quhemi të kënaqur, vetë Europa nuk e quan të bashkuar nëse qëndron jashtë Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, ne do angazhohemi që kjo gjë të ndodh sa më shpejt. Ftesa jonë është që të mos jenë ngurues dhe t’i hedhin poshtë paragjykimet e tyre. Duhet të fillojë me vrull zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Di Maio.

Për kryeministrin Rama, Italia ka qenë avokati i interesave të Shqipërisë ndër vite, përfshi edhe ndihmën e dhënë së fundmi pas tërmetit të 26 Nëntorit. Ajo që më së shumti e surprizoi ishte çmimi “Rrënja e Puglias ”që iu dha nga Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano.

“Nuk e di nëse e meritoj gjithë këtë, jam shumë i surprizuar ndoshta nuk është fjala më e përshtatshme, është një mikëpritje befasuese, e dëshmon edhe mungesa e kravatës sime, zbrita nga avioni ku papritur dhe gjithçka dukej si një film ndaj faleminderit nga zemra. Italia është avokati ynë dhe ne ju jemi vërtet mirënjohes”, tha Rama.

Tre dekada pas eksodit, vendin e tij tha se e sheh të ndryshuar, ndonëse jo aty ku do të dëshironte. Dhe si shembull të transformimit solli të rrëfyer historinë e një politikani të huaj i cili donte të shoqërohej me eskortë dhe i armatosur në Tiranë, për shkak të imazhit se Shqipëria ishte një vend shumë i rrezikshëm.

“Zotëria nuk e quan pistoletën një armë të mjaftueshme për t’u mbrojtur, i thoni nuk është një shërbim që të futet në Kandahar, nuk ndodhet në Rripin e Gazës. Pasi u fut në Tiranë, të nesërmen më thotë, duhet t’ju kërkoj një falje shumë të madhe, më thotë kam udhëtuar shumë, por Shqipëria nuk është ashtu siç e prisja, i thashë mos u shqetësoni, se perceptimi është shumë më ndryshe nga realiteti”.

Gjatë vizitës në Puglia, Kryeministri Rama u prit edhe nga kryebashkiaku i Barit. Rama tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është edhe shtysa drejt një të ardhmeje dhe vizioni të përbashkët.

“Ne mundemi që të shkojmë përtej, duke u përpjekur që të bashkojmë frymën tonë sepse nuk ka më as kufij fizikë e mendor, janë gjithnjë e më të shumtë italianët që vijnë në Shqipëri dhe ne jemi të interesuar që të bëhemi pjesë e së ardhmes të përbashkët, dhe të së tashmes.”

Gjatë vizitës së tij në Bari, Kryeministri Rama zhvilloi homazhe edhe në vendin ku humbi jetën Luigj Gurakuqi.