Me katër rastet e reja me coronavirus, numri i të infektuarve me në Dibër arriti në 20.

Kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, thotë se gjendja është serioze dhe ju bëri apel qytetarëve të bashkëpunojnë dhe t’i respektojnë masat dhe rekomandimet. Ai ju thotë qytetarëve të mos dalin jashtë, edhe pse moti është me diell, për shkak se, sipas tij, ka ende rrezik nga coronavirusi.

Banorët mund të dalin, thotë Duka, vetëm nëse kanë nevojë të blejnë ushqim apo barna ndërsa pacientët e sëmurë vazhdimisht janë nën mbikëqyrje dhe kanë trajtim mjekësor në shtëpitë e tyre.

“Disa pacientë të diagnostikuar me virusin kanë kujdes shtëpiak mjekësor, të izoluar në shtëpitë e tyre dhe atje shkon një ekip mjekësor që ju ep ndihmën e nevojshme. Ekipet mjekësore me epidemiologë dhe infektologë vazhdimisht janë në terren. Sot ata janë në Komunën Zhupë, ku po bëjnë analiza nëse ka raste të reja”, theksoi Hekuran Duka.

Kreu i Komunës, Hekuran Duka thotë Dibra ka mjekë, por kërkon ndihmë nga Qeveria për shkak se momentalisht ekipet mjekësore nuk janë të mjaftueshme.

“Mendoj se në të ardhmen nuk do të kemi mjaftueshëm dhe kërkojmë nga Qeveria e Maqedonisë që gjatë ditëve të ardhshme të dërgojë specialistë nga fusha e infektologjisë dhe epidemiologjisë, si dhe teknicientë mjekësorë”, shtoi Duka.