Një automjet i Ndihmës së Shpejtë në Kumanovë është përshirë nga flakët, gjatë transportit të pacientit nga Shkupi në Kumanovë.

Në automjet kanë qenë vetëm pacienti dhe shoferi, ndërsa të dy janë në gjendje të mirë. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, Faruk Alili, për Sloboden Peçat, tha se pacienti është lagruar menjëherë nga automjeti, kur shoferi e ka vërejtur tymin.

“Para rreth një ore e gjysmë automjeti është kthyer nga transportimi i një pacienti nga Shkupi. Duke vozitur, shoferi ka parë tym. E ka ndaluar automjetin, ndërsa pacienti është larguar menjëherë, duke pasur parasysh se kanë qenë afër shtëpisë së tij kur ka nisur tymi. Ne kemi mjete të tjera në shërbimin e urgjencës, por kjo është hera e parë që ndodh diçka e tillë. Të gjitha automjetet janë plotësisht të siguruara. Ata janë të servisuar dhe kontrolluar pa ndërprerje, nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar incidentin. Shoferi është në gjendje të mirë”, ka thënë Alili për “Sloboden Peçat”.