Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot realizoi takim me ambasadoren e re të autorizuar të Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Anke Gizele Holshtajn, e cila me këtë rast i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale.

“Krahas bashkëpunimit intensiv bilateral gjatë tre viteve të kaluara që me përkushtim angazhohemi që ta thellojmë edhe në të ardhmen, me padurim e presim suksesin e përbashkët – Konferencën e parë ndërqeveritare të organizohet pikërisht gjatë kryesimit gjerman me Këshillin e BE-së. Jemi falënderues për kontributin e deritanishëm gjerman në ndërtimin e konsensusit dhe sjelljen e vendimit pozitiv për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në mars të këtij viti”, ka thënë ministri Dimitrov, qëndron në kumtesën e MPJ-së.

Duke i dëshiruar sukses në kryerjen e kësaj detyre, ministri Dimitrov ka vlerësuar se gjatë periudhës së kaluar vërehet një dialog jashtëzakonisht dinamik bilateral dhe bashkëpunim në disa sfera me interes të përbashkët.

Ambasadorja Hollshtajn, bëhet e ditur në kumtesë, e ka përsëritur mbështetjen e Gjermanisë për realizimin e prioriteteve tona strategjike, duke nënvizuar se edhe pse kryesimi gjerman me Këshillin e BE-së është para një sfide shumë të madhe ekonomike në historinë e BE-së në lidhje me rimëkëmbjen e vendeve të prekura nga virusi korona, do të angazhohet që maksimalisht ta përforcojë perspektivën evropiane të Rajonit tonë, ndërsa me këtë edhe të sigurojë stabilitet dhe zhvillim të Ballkanit Perëndimor.

Bashkëbiseduesit kanë folur edhe për gjendjen aktuale epidemiologjike dhe sfidat shëndetësore me të cilat përballet Rajoni ynë dhe më gjerë, me çka ministri Dimitrov ka falënderuar Gjermaninë për ndihmën e saj të deritanishme për luftën kundër pandemisë në vendin tonë.

Në takim është folur edhe për përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme demokratike dhe korrekte në Maqedoninë e Veriut.