Marrëveshja për miqësi me Republikën e Maqedonisë mund të hyjë në fuqi në fund të vitit. Paralajmërimi doli nga bisedimet e sotme të ministrave të punëve të jashtme të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, Nikolla Dimitrov dhe Ekaterina Zaharieva në kuadër të seancës së parë të përbashkët të qeverive të dy vendeve. Dy diplomatët e parë deklaruan se do të investojnë përpjekje që parlamentet e dy vendeve, sa më shpejt që është e mundur ta ratifikojnë marrëveshjen, përcjell Fol.

“E përshëndetim Qeverinë bullgare që e ka futur ratifikimin e marrëveshjes në Asamblenë popullore. Shpresoj se deri në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm edhe ne do ta ratifikojmë”, deklaroi Dimitrov.

Ministrja bullgare Zaharieva deklaroi se është e kënaqur për mbajtjen e seancës së përbashkët të dy qeverive në Strumicë.

“Më gëzon shumë fakti që qeveritë tona u takuan sot në Strumicë sepse 18 vjet nuk kemi pasur seancë ndërkombëtare”, deklaroi Zaharieva.

Ajo shprehu optimizëm për integrimin evropian të Ballkanit pas mbështetjes nga ana e Federika Mogerinit dhe Zhan Klod Junkerit të cilët, tha, e theksuan rajonin si një prej prioriteteve më të rëndësishme të KE-së.

Dimitrov dhe Zaharieva sot nënshkruan edhe platformë për aktivizimin e bashkëpunimit midis dy ministrive.

Nënshkrimi i Platformës është konfirmim i dëshirës së ndërsjellë të dy shteteve që të thellohet dhe zhvillohen marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe vendosja e bazës për bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët.

Me dokumentin parashikohen konsultime të rregullta në nivel të ministrive të punëve të jashtme dhe përfaqësive diplomatike. Një nga qëllimet e dokumentit është që të krijohen trupa punues për përcjellje të plotësimit të marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

Dy ministritë e punëve të jashtme do të punojnë edhe në sinkronizmin e mesazheve pozitive dhe tejkalimin e jehonave negative/qëndrime në opinion.

Pala bullgare e riafirmoi gatishmërinë për mbështetje të Maqedonisë lidhur me qëllimin strategjik për anëtarësim në BE. Bullgaria do ta ndajë ekspertizën e saj dhe përvojën në fushën e integrimeve evropiane, duke përfshirë edhe përmes dërgimit të ekspertëve, organizimit të seminareve dhe trajnimeve të përbashkëta.

Platforma parashikon edhe veprime të përbashkëta për përballje me sfidat e reja lidhur me sigurinë. Dy shtetet do ta thellojnë bashkëpunimin në fushën e politikës së vizave, kontrollit kufitar dhe emigracionit. Dy ministritë do të bëjnë përpjekje edhe për stimulimin e diplomacisë publike në të gjitha format, duke përfshirë edhe përmes projekteve të përbashkëta dhe pjesëmarrjes së diplomatëve dhe të punësuarve në ministritë në kurse, seminare dhe trajnime. /Fol/